AlbanianSport.com 16/10/2021 15:40
ASNN – Kastrioti, fitore bindëse në shtëpi ndaj Skënderbeut, Egnatia shtang Laçin. Janë luajtur të shtunën dy takimet e para të javës së 5-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kastrioti ka mundur me dy gola në pjesën e dytë Skënderbeun, ndërsa Egnatia e Rrogozhinës ka shtangur në Laç skuadrën vendase, duke e mundur me një gol të vetëm.
Pas ndërprerjes për shkak të ndeshjeve të Kombëtares kuqezi në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, është rikthyer Kampionati Kombëtar i Futbollit dhe të shtunën janë luajtur dy ndeshjet e para të javës së 5-të të Kategorisë Superiore. Kastrioti ka pritur të shtunën në Stadiumin e Kamzës Skënderbeun, në një nga dy takimet e para të javës së 5-të të Kategorisë Superiore.
Ndonëse krutanët mbanin vendin e fundit në renditje, me vetëm një pikë të marrë në 4 javët e para, përkundër 3 pikëve të korçarëve, pjesa e parë ka folur bindshëm për skuadrën e trajnerit Ramadan Ndreu. Por ajo është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa, në minutën e 65-të, Basha e kalon në epërsi Kastriotin, duke mposhtur portierin Rexhepi pas një rrëmuje në zonë.
Kastrioti nuk e lëshon lojën, duke e administruar mjaft mirë epërsinë minimale, e madje duke e thelluar atë 6 minuta para fundit. Armando Rami dhuron spektakël. I sapofutur në fushë, futbollisti i Kastriotit bën gjithçka vetë duke realizuar me një diagonale të bukur nga e majta. Kastrioti mposht kështu Skënderbeun 2-0 dhe gjen fitoren e parë të sezonit.
Ndërkaq, Egnatia ka arritur të marrë një fitore të madhe në fushën e Laçit duke mposhtur minimalisht kurbiunasit me rezultatin 1-0. Goli i vetëm i takimit u realizua nga njeriu i momentit tek skuadra e Egnatias, Pedro Augusto Kabral, i cili pasi i dha fitoren ndeshjen e kaluar në frymën e fundit ndaj Kastriotit, ishte vendimtar edhe ndaj kurbinasve duke shënuar pas një aksioni fanstastik në kundërsulm dhe me disa kombinime me shokët e skuadrës në minutën e 75-të.