AlbanianSport.com 11.12.2014 12:30
ASNN – Vetëm pak ditë pas lajmit se Romela Begaj ka rezultuar pozitive për përdorimin e substancave të ndaluara, një tjetër lajm akoma edhe më i keq vjen nga fronti i peshëngritjes shqiptare. Është tashmë e konfirmuar zyrtarisht nga ana e Federatës Botërore të Peshëngritjes, nëpërmjet faqes së saj zyrtare në Internet, se edhe dy sportistë të tjerë, kampioni i botës, Daniel Godelli, dhe kampioni i Evropës për Nën-23-vjeçarët, Hysen Pulaku, kanë rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara.
Në fakt, të mërkurën në mbrëmje vonë u spekulua se Pulaku kishte rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara, ndërsa të enjten në mëngjes, është mësuar se bëhet fjalë edhe për Daniel Godellin. Të dy këta sportistë kanë rezultuar pozitivë në analizat e kryera gjatë Botërorit të Të Rriturve, që mbajt muajin nëntor në Almati të Kazakistanit. Ashtu sikundër edhe Romela Begaj, edhe Daniel Godelli dhe Hysen Pulaku kanë rezultuar pozitiv për hormonin mashkullor, stimulantin që njihet me emrin teknik “stanozolol”.
Me këta dy sportistë, shkon në 5 numri i peshëngritësve shqiptarë që kanë marrë medalje në arenën ndërkombëtare dhe më pas kanë rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara. Këta sportistë janë Fetije Kasaj, Erkand Qerimaj, Romela Begaj, Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli. Ndërkohë, me 4 sportistë që rezultojnë pozitivë për përdorimin e substancave të ndaluara brenda një viti Shqipëria si vend rrezikon automatikisht pezullimin pa afat nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare.