AlbanianSport.com 14/10/2021 13:55
ASNN – Ka nisur që prej ditës së mërkurë kursi i radhës i fizioterapistit që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Ky kurs që udhëhiqet nga drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë në FSHF, Xhanluka Stesina, do të jetë i ndarë në disa faza për t’u përmbyllur me provimet finale më muajin korrik të vitit 2022.
Kursi nisi ditën e mërkurë dhe po vijon edhe të enjten në mjesidet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku lektorë si Ilvi Begolli dhe Ariana Sina, por edhe vetë italiani Stesina kanë mbajtur leksione mbi temën e parë të këtij kursi, që ka të bëjë me dëmtimet e gjurit.
Pjesëmarrësit, të cilët janë studentë të mjekësisë apo fizioterapistë po ndjekin më kërshëri këtë kurs të organizmit që qeveris futbollin në vend, që i bën më shumë pjesë të mjekësisë sportive, duke i dhënë një mundësi të mirë të gjithë këtyre personave që duan të bëhen pjesë e sportit.
Pas përfundimit të kësaj teme, pjesëmarrësit do të rikthehen sërish të ndjekin pjesën tjetër të programit, që do të zhvillohet gati çdo muaj, deri në majin e vitit të ardhshëm. Ata do të kenë mundësi të mësojnë rreth dëmtimeve të këmbës dhe legenit, kolonës lumbare dhe dëmtimeve të gjymtyrëve të sipërm.
Por edhe përdorimin e terapisë instrumentale (aparaturave) në patologji të ndryshme, dëmtimet muskulare në sport si dhe ndihmës së parë (urgjenca), BLSD, rianimimi kardio-pulmonar, ndërsa kursi do të jetë i ndarë në disa faza për t’u përmbyllur me provimet finale në korrik të vitit të ardhshëm.