AlbanianSport.com 12/10/2021 22:25
ASNN – Drejtuesi i makinës mjekësore në Formula 1, Alan van der Merve nuk do të jetë në garat e fundit të këtij sezoni, pasi ai ka rezultuar pozitiv me “Covid-19”. Ai u konstatua i infektuar me virusin korona para garës së Çmimit të Madh të Turqisë. Edhe mjeku i Formulës 1, Ian Roberts gjithashtu rezultoi pozitiv, dhe kështu të dy nuk ishin në gjendje të udhëtonin për në Stamboll. Van der Merve konfirmoi në mediat sociale se ai nuk ishte vaksinuar kundër COVID për arsye personale.
Dëshmia e vaksinimit kërkohet aktualisht për hyrjen në Katar dhe Arabinë Saudite. Van der Merve është kështu një nga anëtarët e personelit të pavaksinuar të Formula 1, të cilët nuk do të jenë në gjendje të marrin pjesë në garat e fundit të sezonit. Në rrjetin e tij social ai shpjegoi arsyet se përse nuk është vaksinuar. “Në Zvicër dhe vendet e tjera të zhvilluara, infektimi llogaritet si një vaksinë, – ka sqaruar ai. – Unë besoj se ato vende e dinë se çfarë po bëjnë.”
“Dhe gjithashtu respektojnë rregullat kufizuese të vendeve të tjera dhe nuk udhëtoj atje, – ka shtuar Merve. – Unë jam plotësisht i vetëdijshëm në kufizimin e lëvizjeve të mia dhe kjo është zgjedhja ime.” Drejtori i garës i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Majkëll Masi konfirmoi se kufizimet e hyrjes do të ndalojnë disa anëtarë të personelit të Formulës 1 të udhëtojnë në garat e Katarit dhe Arabinë Saudite.
“Nga ajo që kuptojmë, ka disa vende që ndoshta nuk do të lejojnë të hyjnë aty nëse nuk jeni të vaksinuar”, – tha ai. “Ju duhet të respektoni këto kërkesa për të hyrë në vend, – ka vijuar zyrtari i organizmit që qeveris Botërorin e Formulës 1. – Dhe FIA padyshim që duhet të respektojë kërkesat e vendit për të hyrë, siç do të bëjnë të gjitha ekipet dhe të gjithë të tjerët.”