AlbanianSport.com 12/10/2021 14:10
ASNN – Trajneri i përfaqësueses së Shpresave të Shqipërisë, e ka cilësuar zbatimin e detyrave dhe durimin si çelësin e suksesit në ndeshjen e fituar të hënën me shifrat 2-0 ndaj përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Sllovenisë. Duke folur për RTSH pas ndeshjes, ai tha se ekipi kishte kryer me përpikëri detyrat e caktuara, por ndërkohë nuk vendosi objektiva edhe pse ekipi ka 9 pikë pas 4 ndeshjesh. “E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, Sllovenia ka një ekip shumë fizik”, – ka thënë fillimisht ish-futbollisti.
“Dua të falënderoj lojtarët, pasi zbatuan me përpikëri udhëzimet, – ka vijuar ai. = Ishte një ndeshje që donte shumë durim, si Muçi si Karrica bënë shumë volum loje, duke e ndihmuar skuadrën edhe në mbrojtje. Ne jemi një ekip i vogël, modest, nuk jemi sa Sllovenia, pasi ata dolën barazim 2-2 kundër Anglisë para pak ditësh. Nuk ishte një Slloveni e përgjumur, ata na vunë në vështirësi nga krahu i majtë i sulmit të tyre. Në pjesën e dytë më pas, ekipi bëri gjithçka siç duhet.” Më pas ai foli edhe për çoroditjen që i kishte shkaktuar çështja e shiritit të kapitenit.
“Muçi ishte kapiten, por u habita kur ia pashë Pëllumbit, – ka zbuluar Bushi. – Por Jorgoja më tha që e kam fat dhe ashtu ndodhi. Pritjet e Tafas? Portieri është për “Marshallah”, sepse ishte ndër më të mirët në fushë. Është puna e portierit të ndihmojë ekipin, duhet të na japë shumë garanci se me këto ekipe një gabim të kthehet në gol. Jemi të gëzuar për këto tri pikë që morëm, kishim probleme në sulm, pasi Karrica është lojtar krahu, por u detyruam ta aktivizonim në sulm, pasi nuk kishim alternativa.”
“Është e vërtetë që kemi 9 pikë, por nuk është se ne do të kemi objektiva, pasi kemi rivalë të fortë, – ka vijuar trajneri i Shpresave. – Objektiva kanë Gjermania, Italia, Anglia. Ne kemi ndeshjen e radhës Ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Unë dua të falënderoj lojtarët për durimin që patën për të arritur te fitorja.” Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ka marrë një tjetër fitore të suksesshme këtë të hënë teksa ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Sllovenisë, sfidë e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023.