AlbanianSport.com 11/10/2021 19:25
ASNN – A e shikon Edoardo Reja Shqipërinë në fazën finale të Botërorit “Katar 2022”? Kjo ka qenë pyetja që i është bërë të hënën trajnerit kuqezi teksa Kombëtarja përgatitet për sfidën vendimtare të grupit I të Eliminatoreve me Poloninë. “Duhet të kesh personalitet mbi të gjitha në ndeshje të tilla, – është përgjigjur ai fillimisht. – Ne jemi të bindur që mund të ëndërrojmë deri në fund. Një gjë që më vjen në mend kur bëhet kjo pyetje është frika për mos t’ia dalë. Ky është problemi që kemi në këtë moment që flasim. Ne luajmë në shtëpi dhe nuk kemi asgjë për të humbur.”
“E rëndësishme për lojtarët është që të jenë sa më të qetë dhe të jenë të bindur që mund të arrijmë të marrim një rezultat të mirë, – ka vijuar trajneri veteran. – Por sigurisht, në ndeshje të tilla, edhe fati është shumë i rëndësishëm. Mund të jetë vendimtar. Marrim rastin e ndeshjes me Poloninë, ku luajtëm mirë dhe nuk na u dha një 11-metërsh, gjë që mund të kishte ndryshuar ndeshjen në atë moment, sepse ekipi po rritej vazhdimisht gjatë minutave dhe nuk kishte mbaruar asgjë. Sigurisht që episodet vendosin në një ndeshje dhe shpresoj që mos ta kemi kundër këtë herë.”
“Kemi punuar shumë dhe jemi përgatitur që të bëjmë sa më pak gabime dhe duam të ëndërrojmë pasi jemi të bindur që mund edhe t’ia dalim kësaj ëndrre, – ka pohuar 76-vjeçari. Sigurisht duhet të kemi iniciativën tonë që të marrim rezultat, pasi nëse ne nuk kemi iniciativë që të kontrollojmë lojën, është e pamundur që të marrësh rezultatin. Ne kemi një stil loje tonin që e kemi përdorur thuajse në të gjitha ndeshjet tona të fundit dhe nuk është se mund të ndryshojë. Sidoqoftë, varet edhe nga rivali që ke përballë dhe nga karakteristikat që ka një skuadër.”
“Për mua është shumë e rëndësishme që ekipi të bëjë një lojë të mirë, por edhe të mos rrijë në mbrojtje, por të marrë iniciativën dhe të sulmojë, të tentojë të mbajë kontrollin e lojës, – ka theksuar Reja. – Sigurisht ata janë shumë të aftë, ne e provuam edhe me Anglinë një gjë të tillë, por nuk ia dolëm dot. Duhet të bëjmë ndeshjen tonë dhe të mos ndihemi në presion dhe të marrim sa më shumë iniciativa. U kemi dhënë një ëndërr shqiptarëve dhe është diçka shumë e bukur dhe pse mos të besojmë deri në fund.”
“Jemi këtu, sepse e kemi merituar, do të luajmë deri në fund shanset tona dhe jemi të gatshëm të japim gjithçka për të arritur në “play-off”-in e Botërorit të vitit të ardhshëm, – ka vijuar ai. – Në ndeshjen të martën ne kemi edhe mungesa të rëndësishme, por siç e keni parë, unë nuk ankohem kurrë sepse kemi krijuar një ekip shumë të mirë lojtarësh aktualisht dhe këtë e kemi treguar edhe me rezultate, ku të gjithë kontribuojnë dhe ato që janë thirrur në momente të caktuara, kanë ndihmuar dhe na kanë zgjidhur jo pak herë problemet.”
“Uroj që nesër ndaj Polonisë të bëjmë një ndeshje shumë të mirë dhe të tregojmë edhe njëherë në fushë faktin që jemi rritur çdo ndeshje dhe këtë e kemi treguar jo vetëm në ndeshjet e shtatorit apo tetorit por edhe ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, ku ne kemi luajtur shumë mirë dhe kemi treguar vlera. Ndeshja nesër merr vlerë edhe më të madhe, pasi na lejon të shkojmë në “play-off”. Ka shumë mundësi të na lejojë të shkojmë aty dhe ne ëndërrojmë deri në fund”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, Edoardo Reja.