AlbanianSport.com 11/10/2021 18:40
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares kuqezi, një nga 4 mungesat e Rejës në përballjen me Poloninë. Ishte një përqafim i natyrshëm që vjen pas një fitoreje, e për më tepër historike si ajo që Shqipëria arriti të shtunën në mbrëmje në Hungari përballë përfaqësueses vendase. Por diçka më tepër se 36 orë më vonë, ka ardhur edhe lajmi që e ka trembur jo pak trajnerin Edoardo Reja. Sepse sulmuesi Sokol Cikalleshi do të mungojë në ndeshjen vendimtare të Kombëtares ndaj Polonisë, që luhet të martën në Stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës, të vlefshme për grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.
Pas zërave që kanë dalë fillimisht nga kampi kuqezi, ka qenë Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka bërë të ditur se futbollisti kuqezi ka rezultuar pozitiv në testet me tampon të kryera nga Kombëtarja ditën e hënë, që janë të detyrueshme në bazë të protokollit të mbrojtjes nga virusi “Covid-19”. Mësohet se, pas daljes së analizave, Cikalleshi është larguar nga grumbullimi për të nisur karantinën dhe nuk ka marrë pjesë në seancën stërvitore të së hënës, që ka qenë edhe e fundit para ndeshjes me polakët.
Lajmi i i mirë është se përveç tij, të gjithë lojtarët e tjerë dhe stafi teknik kanë rezultuar negativë. Kësisoj, trajneri Edoardo Reja do të ketë 4 mungesa në sfidën ndaj Polonisë dhe më konkretisht Bekim Balajn e Berat Gjimshiti të dëmtuar, Endri Çekiçin e skualifikuar dhe Sokol Cikalleshin me Covid-19.