AlbanianSport.com 11/10/2021 17:55
ASNN – Vija ndarëse midis gabimeve dhe lëvizjeve gjeniale në Formula 1, është shumë e hollë. Kështu, për shembull, në xhirot e fundit në Çmimin e madh të Rusisë dhe atë të Turqisë, Lando Norrisi dhe Sharl Lëklerku, e bashkë me ta edhe drejtuesit e skuadrave, provuan të luanin me fatin, por u zhgënjyen. Ndërsa në Soçi protagonist ishte Norrisi, në Stamboll protagonistë u bënë strategët e “Ferrari”-t dhe piloti nga Monte Karlo. Ata bënë një përpjekje për të ngjitur pilotin e tyre në podium, por që nuk u realizua.
Duke e analizuar, ajo ishte strategjia e vetme e “Ferrari”-t. Para se të vlerësojmë konkretisht strategjinë e Lëklerkut, nevojitet të shikojmë pak më prapa. Që në provat e lira të së premtes, makina “Ferrari SF21” ishte çuditërisht më konkurruese në kthesat e pistës së Stambollit, duke u konfirmuar gjithashtu edhe në provat zyrtare të së shtunës. Pavarësisht vendimit për të miratuar një konfigurim më të lehtë aerodinamik, ndoshta duke menduar për një të dielë pa shi, gjatë pjesës së parë të garës, Lëklerku arriti të ruante ritmin e dy të parëve.
Pra, “Red Bull”-it të Maks Verstapenit dhe “Mercedes”-it të Valteri Botasit. Sistemi i ri hibrid që bëri debutimin e tij në Rusi funksionoi mirë dhe, përtej përfitimit në kuaj fuqi, u ofroi pilotëve të “Ferrari”-t më shumë mundësi për menaxhimin e makinës. Por të gjitha këto nuk duhet të na mashtrojnë, pasi “Ferrari” ende nuk është në nivelin e “Merdedes”-it apo “Red Bull”-it, përsa i përket shpejtësisë. Ndaj edhe Sharl Lëklerk nuk mundi të ngjitej në podium.