AlbanianSport.com 10/10/2021 20:10
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra do të nisë sot grumbullimin në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2022 të kësaj grupmoshe, ku Kombëtaren kuqezi shorti e ka vendosur në grupin e 3-të të nivelit të dytë, Ligës B, së bashku me Andorrën, Uellsin dhe Moldavinë. Trajneri i sapoemëruar në stolin kuqezi, Kreshnik Krepi ka bërë publike edhe listën me 20 lojtaret e grumbulluara për këto ndeshje.
Disa ditë më parë, trajneri kuqezi pati mundësinë të bënte edhe një përzgjedhje me vajzat e kësaj grupmoshe në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz, ku pa nga afër gjendjen e futbollisteve dhe vendosi mbi listën përfundimtare të skuadrës që do të përfaqësojë Shqipërinë në këto Eliminatore. Ekipi kombëtar i femrave do të qëndrojë 7 ditë i grumbulluar në Durrës dhe më pas do të udhëtojë drejt Andorrës, vendi organizator i këtyre ndeshjeve të rëndësishme.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Andorrës më 19 tetor 2021, ndërsa 3 ditë më vonë do të luajë kundër Moldavisë. Më 25 tetor 2021, vajzat kuqezi do të luajnë ndeshjen e 3-të dhe të fundit ndaj Uellsit. Sipas vendimit të marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, Eliminatoret e Nën-17 dhe Nën-19-vjeçareve për futbollin e femrave janë riorganizuar së fundmi, teksa do të konkurrohet në dy nivele të ndara nga njëra-tjetra.
Ekipet përfaqësueses janë të ndara në dy Liga, A dhe B, me skuadrat e Ligës A që garojnë për t’u kualifikuar për në Evropian dhe skuadrat e Ligës B për t’u bërë konkurruese dhe për t’u ngjitur një ligë më lart dhe për të arritur Kampionatin Evropian. Më poshtë, edhe lista me emrat e 25 futbollisteve të grumbulluara nga trajneri Krepi për këto ndeshje: