Nga Brikena Kuka (RTSH) 11.12.2014 08:50
Ndahet nga jeta në moshën 37-vjeçare, gazetari sportiv i Radio Televizionit Shqiptar, Mejdan Zhivani. Prej dy vitesh ai vuante nga një sëmundje e rëndë e cila e mposhti përfundimisht të mërkurën. Prej 5 vitesh ai ishte gazetar sporti në Radiotelevizionin shqiptar. Ngjarjeve sportive do t’iu mungojë jehona e zërit të Mejdan Zhivanit, gazetarit sportiv që përcillte emocionet e të gjitha aktiviteteve sportive nëpërmjet valëve të Radio Tiranës dhe Televizionit shqiptar.
Karriera e tij si gazetar sportiv fillon që nga viti 1999, si bashkëpunëtor i Televizionit Shqiptar, me siglën e televizionit lokal të qytetit të Shkodrës. Për më shumë se 10 vite vazhdoi ky bashkëpunim si korrespondent sporti i Radios dhe Televizionit Shqiptar. Në vitin 2009 vjen ne Tirane dhe prej 5 vitesh ishte bashkëpunëtor me Radion në emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën” dhe me Televizionin Shqiptar për Rubrikën sportive. Ai ishte tepër aktiv edhe në median e shkruar.
I njohur për kronikat sportive, lidhjet direkte në studio dhe analizat e ndeshjeve me të ftuarit në studiot e Radio-Televizionit shqiptar. Mejdan Zhivani u nda nga jeta në moshën 37-vjeçare, në orët e para të ditës së mërkurë, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Mejdani prej dy vitesh lufte me këtë sëmundje, nuk arriti ta mundte atë. Komuniteti sportiv, të gjithë gazetarët e miqtë e tij të shumtë, u treguan të gatshëm për ta ndihmuar kur ai bëri 3 ndërhyrje tepër të vështira e të kushtueshme.
Të gjithë do ta kujtojnë Mejdan Zhivanin për buzëqeshjen dhe dashamirësinë që u dhuronte të gjithëve. Homazhet për të do të kryhen Në Shkodër, ditën e enjte në datën 11 dhjetor në orën 12 në mjediset e Stadiumit “Loro Boriçi”.