AlbanianSport.com 10/10/2021 15:40
ASNN – Ishte në fakt një “deja vu”, teksa Armando Broja hyri sërish si zëvendësues, por arriti të vendosë sërish fatin e ndeshjes në “Pushkash Arena”, duke shënuar në fitoren 1-0 përballë Hungarisë, ashtu siç kishte bërë edhe në shtator përballë të njëjtit kundërshtar në Tiranë.
Pas fitores, sulmuesi ka deklaruar: “Gjithmonë kam besim, gjithmonë kam dëshirë të ndihmoj skuadrën duke shënuar gol. Shënova, i dhashë skuadrës fitoren, më vjen mirë. Vendi i titullarit? Kam qenë i dëmtuar. Mora një dëmtim pardje në stërvitje. Trajneri më pyeti nëse isha 100% gati dhe unë i thashë “po”.”
“Për fanellën e Kombëtares bëj gjithçka, – ka vijuar futbollisti që është në pronësi të Çellsit, por është huazuar tek Sauthemptoni. – Tani do të shikoj gjendjen në stërvitjen e nesërme, por besoj se do të jem gati. Sot ndihesha mirë, e kisha mirë këmbën”. Në fund, ai është pyetur edhe për objektivin e skuadrës.
“Duhet të besojmë deri në fund për vendin e dytë. Kemi dëshirë të shkojmë në Botëror, nuk jemi një vend i madh, por kemi një zemër të madhe. Morëm tri pikët, por duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë, të jemi të përqendruar për Poloninë”, – ka përfunduar shënuesi i golit të fitores në Hungari, Armando Broja.