AlbanianSport.com 09/10/2021 22:40
ASNN – Mposht Hungarinë 1-0, tjetër gol i Brojës, që ndez ëndrrën kuqezi të Botërorit. Shqipëria është ndeshur të shtunën në mbrëmje me Hungarinë, në duelin e 7-të në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” dhe që është mbyllur me rezultatin 1-0 në favor të kuqezinjve. Ndeshja, që u luajt në Stadiumin “Pushkash Arena” të Budapestit, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kombëtarja shqiptare e futbollit është ndeshur të shtunën në mbrëmje me Hungarinë, në takimin e vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, që u zhvillua në Budapest dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, pjesa e parë e ndeshjes së luajtur në Stadiumin “Pushkash Arena” të boshatisur, për shkak të ndëshkimit të Hungarisë nga UEFA pas thirrjeve raciste në humbjen 0-4 përballë Anglisë, ka qenë e barazpeshuar, me një lojë të luftuar në mesfushë dhe me mundësi sporadike që nuk ngrihen mbi nivelin mesatar të rrezikut.
Shqipëria merr një goditje pas një gjysmë ore lojë, pasi Berat Gjimshiti detyrohet të lërë fushën e blertë i dëmtuar në dorë pas një përplasjeje me portierin Berisha dhe mbrojtësin tjetër, Ismajli, dhe trajneri Reja hedh në fushë Frederik Veselin. Edhe çerekora e mbetur ka të njëjtën tablo, me të dyja skuadrat që bëjnë më tepër kujdes për të mos pësuar sesa për të shënuar dhe kësisoj 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura.
Ato të dytat do të shohin vendasit që ta nisin më mirë, duke rrezikuar madje edhe portën në minutat e para, por loja do të vijojë më pas të bjerë në kllapinë e pjesës së parë, edhe pse trajneri kuqezi ka tërhequr Çekiçin dhe ka futur Nedim Bajramin për t’i dhënë më tepër fantazi lojës së Kombëtares. Por kllapia do të shprishet në minutën e 58-të, kur Uzuni depërton deri në zonën kundërshtare dhe godet, por gardiani hungarez, Gulashi, nuk lejon prekjen e rrjetës së tij.
Në goditjen e këndit, është Trashi që godet, por nuk e gjen katërkëndorin e portës vendase. 7 minuta më pas, është sërish Uzuni fajtor, pasi i vetëm në zonën e rreptësisë godet lehtë, drejt e në duart e portierit vendas. Cikalleshi dhe Uzuni do t’i lënë menjëherë vendin Manajt dhe Brojës për 25 minutat e fundit të kohës së rregullt dhe loja e Shqipërisë ndizet, por Gjasula nuk e gjen dot kuadratin për pak me një goditje në kufijtë e zonës.
Përkundër rrjedhës së lojës, është Hungaria që është pranë golit 17 minuta para fundit, por vetëm pasaktësia e lojtarëve vendas dhe shtylla e majtë pingule e portës e shpëtojnë Shqipërinë nga pësimi i golit. Dhe kur dukej se Hungaria po merrte zemër, është një kundërsulm me protagonist Brojën që shkon deri në zonën kundërshtare dhe, ndonëse në pozicion të prirët dhe i mbuluar nga dy kundërshtarë, godet fuqishëm dhe e gjen rrugën e rrjetës.
Është goli i dytë radhazi i futbollistit kuqezi, i dyti me Kombëtaren dhe i dyti për Shqipërinë në histori përballë Hungarisë. Një gol që mbetet në fuqi deri në fund dhe Shqipëria merr fitoren e parë në histori në Budapest ndaj Hungarisë, që ndez ëndrrën kuqezi të Botërorit.