AlbanianSport.com 09/10/2021 19:25
ASNN – Por Hemilton niset i 11-ti, për shkak të një ndëshkimi. Gara, të dielën në RTSH. Çmimi i Madh i Turqisë, që zhvillohet në Stamboll, ka zhvilluar të shtunën provat zyrtare dhe dy pilotët e “Mercedes’”-it, Hemilton dhe Botas, kanë më të shpejtët. Por të dielën pasdreke, në garën që, ashtu sikundër ndodhi edhe me provat zyrtare, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Hemiltoni do të niset nga vendi i 11-të, për shkak të një ndëshkimi.
Kampionati Botëror i Formulës 1 zhvillon në fundjavë garën e 16-të të këtij sezoni, që është ajo e Çmimit të Madh të Turqisë. Dhe të shtunën janë zhvilluar provat zyrtare, ku Ljuis Hemilton ishte më i shpejti, por do të niset nga vendi i 11-të, për shkak të një ndëshkimi që ka ardhur për arsye se ai ka ndërruar pjesë të motorit të makinës së tij. Kjo nënkupton se shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas, i cili regjistroi kohën e dytë më të shpejtë, do të niset nga vendi i parë të dielën.
Ndërsa përkrah tij, në radhën e parë, do të niset piloti i “Red Bull”-it, Maks Verstapen. Kërcënimi i reshjeve të shiut nuk u materializua plotësisht, përveçse një vese në seancën e parë të provave zyrtare, ku Hemiltoni ishte më i shpejti, por vetëm 7 të mijëtat më i shpejtë sesa Maks Verstapeni. Piloti britanik i “Mercedes”-it e përsëriti këtë edhe në seancën e dytë, duke vijuar ta vulosë paraqitjen e tij të shkëlqyer edhe në seancën e 3-të dhe vendimtare të provave zyrtare.
Aty ku regjistroi kohën 1 minutë, 22 sekonda e 868 të mijëtat, që është në fakt edhe rekordi i ri i pistës në Stamboll.