AlbanianSport.com 09/10/2021 18:40
ASNN – Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ka nisur menjëherë nga puna për përgatitjen e ndeshjes së dytë ndaj Sllovenisë, pas fitores me një dygolësh të Muçit të enjten ndaj Andorrës. Ekipi i drejtuar nga trajneri Alban Bushi ka zhvilluar të premten një seancë të lehtë stërvitore ndërsa do të zhvillojë ditën e shtunë edhe një tjetër seancë stërvitore.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ekipit të Shpresave i është bashkuar këtë të shtunë edhe futbollisti shqiptar që aktivizohet në radhët e Fiorentinës, Eljo Toçi. Ai ishte pjesë e grumbullimit me ekipin e Nën-19-vjeçarëve, që drejtohet nga Armando Cungu ndërsa ditën e premte luajti edhe në miqësoren e parë të planifikuar ndaj Malit të Zi.
Aty ai shënoi një dygolësh, duke qenë një protagonistët kryesorë të skuadrës kuqezi në fitoren 3-1. Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve luajti dy ditë më parë ndaj Andorrës në Stadiumin “Elbasan Arena”, ndeshjen e vlefshme për Kampionatin Evropian 2023 të kësaj grupmoshe, ku fitoi me rezultatin 2-0.
Shpresat do të zhvillojnë edhe një tjetër sfidë ndaj Sllovenisë, në po të njëjtin stadium, ditën e hënë, duke nisur nga ora 18:30, ku kuqezinjtë do të tentojnë fitoren e dytë radhazi dhe të 3-tën deri më tani. Shpresat mbajnë vendin e dytë në renditje, me 6 pikë të marra në 3 takime, 3 më pak se kryesuesja e grupit, Republika Çeke, dhe dy më tepër sesa Anglia, që ka luajtur 2 ndeshje, dhe Sllovenia, që ka luajtur 3.