AlbanianSport.com 08/10/2021 22:25
ASNN – Trajneri i Anglisë, Gareth Sauthgejt mund të luajë me ekipin “B” kundër Andorrës, me frikën se ndeshje do të luhet në fushë me bar artificial. Anglia do të ketë në fushë një skuadër shumë të ndryshuar nga ajo që barazoi 1-1 në Poloni muajin e kaluar. Kapiteni i “Tre Luanëve”, Herri Kejn, ka patur shqetësime në kyçin e këmbës dhe, nëse luan në fushën me bar artificial, atëherë problemi për të mund të bëhet më i madh. Sulmuesi i Totenhemit dëshiron të luajë, por për të është vendosur të jetë në stolin e Anglisë.
Mbrojtësi i majtë i Çelsit, Ben Çiluell është thirrur nga Sauthgejti dhe është gati për të veshur fanellën e “3 luanëve”. Dëmtimi i Herri Meguirit e ka përjashtuar atë nga këto dy ndeshje të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, kështu që në qendër të mbrojtjes së Anglisë do të ketë ndryshime. Dhe tërheqja e Kalvin Filipsit mund të nënkuptojë një kthim për Xhordan Hendersonit të Liverpulit. Xhejdon Sanço i Mançester Junajtid mund të paraqitet në mesfushë, së bashku me kapitenin e Sauthemptonit, Xhejms Uord-Prous.
Ljuk Shou, ndërkohë, thotë se Sanço po u tregon shokëve të tij të skuadrës tek Mançester Junajtid se çfarë talenti ka. Aron Ramsdejl është i prirur të shfrytëzojë shansin e tij me Anglinë me të dyja duart dhe të dëgjojë këshillat e Dejvid Simanit. 23-vjeçari është rikthyer në skuadrën e “Tre Luanëve”, me shpresën se do të fitojë të drejtën për të luajtur ndeshjen e tij të parë në Eliminatoret e Botërorit 2022, kundër Andorrës dhe Hungarisë. Anglia është në grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022|.
Ajo kryeson grupin me 16 pikë, me 5 fitore dhe një barazim. Ndërsa kuqezinjtë ndodhen në vendin e dytë në grup me 12 pikë. Anglia do të presë Shqipërinë më 12 nëntor të këtij viti, ndërsa ndeshja e parë, midis këtyre dy skuadrave, e luajtur në Tiranë, ka përfundur me shifrat 2-0 në favor të përfaqësueses angleze.