AlbanianSport.com 08/10/2021 20:55
ASNN – Trajneri i Hungarisë dhe portieri Gulashi flasin para ndeshjes së të shtunës në Budapest. Trajneri i Hungarisë, Marko Rosi, ka theksuar se skuadra e tij duhet të ndërrojë taktikë nëse shpreson të fitojë kundër Shqipërisë të shtunën. Hungaria mban vendin e 4-t në grup, me 10 pikë të marra në këto dy ndeshje dhe, për skuadrën e trajnerit italian, ndeshja me Shqipërinë, që renditet e dyta, me 12 pikë, përfaqëson shansin e fundit për të shpresuar për të vendin në “play-off”-in e Botërorit “Katar 2022”.
“Ndeshja e parë, me Shqipërinë, është më e rëndësishme për ne sesa ajo e dyta, me Anglinë, – ka thënë ai fillimisht. – Kam thirrur lojtarë që mund ta zëvendësojnë në njëfarë mase Adam Szalain, por sidoqoftë asnjë nuk i ka të gjitha cilësitë e tij. Fatkeqësisht, nuk kemi një qendërsulmues klasik në përfaqësuesen e Hungarisë, që gëzon të gjitha veçoritë e rëndësishme dhe luan në arenën ndërkombëtare, përveç Szalait. Ai është një lider i vërtetë, karizma e tij përkufizon skuadrën dhe unë e çmoj atë si të pazëvendësueshëm. Prandaj ne duhet të ndërrojmë taktikën tonë, sidomos në aspektin e kontrollit të topit, gjë që në Shqipëri e bëmë mirë në një pjesë të mirë të lojës, por jo mjaftueshëm.”)
Më tej, italiani i stolit të përfaqësueses hungareze e ka vlerësuar lart Shqipërinë, por ka kërkuar karakter nga skuadra e tij.
(Sinkronë Rosi: “Përfaqësuesja e Shqipërisë ka 12 lojtarë që luajnë në nivelin më të lartë në kampionatin italian, atë spanjoll dhe atë italian të futbollit. Ne kemi 4 të tillë në përfaqësuesen e Hungarisë dhe kjo nuk do të thotë se ndjehemi inferiorë, sepse unë i besoj skuadrës time dhe e di që kemi shanse të mira përballë Shqipërisë. Por ne nuk duhet të harrojmë se diferenca midis dy skuadrave është shumë larg asaj që sugjeron renditja e FIFA-s. Ne jemi në një pozicion më të mirë vetëm falë suksesit të përfaqësueses së Hungarisë në këto vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ne jemi dy skuadra të barabarta në këtë ndeshje dhe nuk duhet të kemi frikë përballë askujt.”)
Edhe për portierin Peter Gulashi, Hungaria duhet të besojë më tepër tek vetja.
(Sinkronë Gulashi: “Gjendja jonë është vështirësuar tashmë për shkak të humbjes së pësuar në Shqipëri, por po mundohemi të korrigjojmë gjithçka. Sa i përket të luajturit pa tifozë, tashmë nuk na bën edhe aq përshtypje, sepse kështu kemi luajtur edhe në ndeshje të tjera të rëndësishme më parë, për shkak të epidemisë së “Covid-19”. Natyrisht, që na vjen keq që nuk do t’i kemi tifozët, por synimi ynë kryesor është që të fitojmë këtë ndeshje dhe të mbajmë gjallë shpresën tonë për kualifikim.”)
Takimi Hungari-Shqipëri luhet të shtunën në Stadiumin “Púshkash Arena”, duke nisur nga ora 20:45 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.