AlbanianSport.com 07/10/2021 19:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve në futboll ka nisur që prej ditës së hënë grumbullimin për dy ndeshjet miqësore ndaj Malit të Zi. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu po stërviten intensivisht në qytetin e Ulqinit. Ndeshja e parë ndaj Malit të Zi do të luhet ditën e nesërme, ndërsa sfida e dytë do të luhet 4 ditë më vonë po në Mal të Zi. Në prag të sfidës së parë, trajneri Armando Cungu ka dhënë një prononcim, ku ka folur edhe për rëndësinë që kanë këto dy sfida për ekipin, në prag të eliminatoreve.
Eliminatore këto që do të zhvillohen muajin e ardhshëm në Shqipëri dhe ku Kombëtaren kuqezi shorti e ka vënë në grupin 7 së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Eliminatoret janë pas një muaji saktësisht, me datë 10, 13, 16 nëntor 2021 do të jenë 3 ndeshjet eliminatore të cilat do të zhvillohen në Shqipëri dhe në grupin tonë do të përballemi me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, – ka deklaruar trajneri shkodran. – Ajo që më intereson jo vetëm mua, por edhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe opinionit sportiv shqiptar është që të bëjmë një Kombëtare sa më dinjitoze, sa më të fortë.”
“Dhe normalisht qëllimi kryesor është për të evidentuar elemente që do të jenë nesër baza e Kombëtares së madhe, – ka vijuar Cungu. – Sikurse do të kërkojmë patjetër rezultatin, sepse në fund të fundit, futbolli ka edhe rezultat e duhet të kemi egon, dëshirën, impulsin për të kërkuar rezultat, krahas elementeve. Sa u përket lojtarëve të grumbulluar, i kemi të përzierë. Kemi lojtarë të Shqipërisë, të cilët luajnë në kampionat Shqiptar, sikurse kemi edhe një pjesë jo të vogël të lojtarëve shqiptarë që luajnë jashtë trojeve shqiptare, në shtete të ndryshme.”
“Ka të Italisë, të Greqisë, Gjermanisë, Zvicrës, pra nga vende të ndryshme. Sidoqoftë, kemi qenë deri në këto momente në fazën e përzgjedhjes së grupit kryesor që do të përfaqësojë Kombëtaren e Nën-19-vjeçarëve në këto Eliminatore”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares shqiptare të Nën-19-vjeçarëve në futboll, Armando Cungu.