Gjergj Vyshka 11/12/2014 07:00
Tashmë përjashtimi i këtij sporti është më pranë, ndërsa dyshohet për një nga tre shtangistët të cilët kanë qenë pjesëmarrës në Evropianin e Nën-23-vjeçarëve dhe Të Rinjve në Qipro. Goditet përsëri peshëngritja shqiptare, ndërsa një tjetër rast me doping nga analizat në aktivitetet ndërkombëtare është bërë i ditur dje pasdite vonë. Së paku nuk bëhet më fjalë për Kampionatin Botëror të Të Rriturve, që u zhvillua në Almati të Kazakistanit, por pjesëmarrësit në Kampionatin Evropian të Nën-23-vjeçarëve dhe të Të Rinjve në Qipro, i cili u krye në fund të nëntorit në Limasol të Qipros.
Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse me Hysen Pulakun, i cili është nënkampion Evrope në dygarësh, Sopot Sulën, që u rendit i pesti, si dhe Aleks Kaçanin që nuk arriti të klasifikohej në dygarësh. Dyshimet më të mëdha, edhe pse ende zyrtarisht Federata Shqiptare e Peshëngritjes, nuk e ka bërë të ditur emrin e tij, janë tek nënkampioni i Evropës, Hysen Pulaku. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i kontaktuar nga Gazeta e Sportit, ka deklaruar shkurtimisht se nuk ka asnjë dijeni.
Ndërkohë që nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, nuk është bërë asnjë koment. Madje nuk janë hapur as telefonat. Por burime të mirinformuara shpjegojnë se ka mbërritur një e-mail në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, që ka bërë të ditur se një peshëngritës shqiptar, i cili është medalist në Evropianin të Nën-23-vjeçarëve dhe të Të Rinjve në Qipro, ka rezultuar pozitiv.
Por ashtu sikurse nuk konfirmohet emri i sportistit nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, ashtu nuk bëhet e ditur dhe substanca me të cilën është kapur. Pavarësisht kësaj, dyshimet e mëdha dhe njolla tjetër për doping për peshëngritjen shqiptare bëjnë atë që ky sport të pësojë një pezullim shumë të rëndë, deri në përjashtim. Pa llogaritur që nëse do të jetë vërtet Pulaku, i cili dhe në “Londër 2012” ka rezultuar i tillë, atëherë si përsëritës pëson dhe përjashtim nga peshëngritja.
Gjithsesi e gjithë situata, krijuar sidomos pas rastit të Begajt, e cila pret të mbrohet me analizën B më 16 dhjetor. Situatë kolapsi në veçanti për peshëngritjen dhe në tërësi për sportin shqiptar.