AlbanianSport.com 06/10/2021 23:10
ASNN – Futbollistët e përfaqësueses së Kosovës flasin për përballjen e së shtunës. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll vijon përgatitjet për ndeshjet e këtij muaji, teksa të shtunën luan në fushë të huaj ndaj Suedisë, kurse më 12 tetor pret Gjeorgjinë në “Fadil Vokrri”, në takimet e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Në stërvitje ishte Astrit Selmani, i cili vetëm tani ka të drejtë të aktivizohet për Kosovën. Sulmuesi i Hamarbit në Suedi ishte i grumbulluar edhe për ndeshjet e shtatorit, por nuk pati të drejtë të luante.
Kjo për shkak se nuk kishte shtetësi dhe pasaportë të Kosovës. Sulmuesi 24-vjeçar ndjen se është gati dhe i përgatitur për të zbritur në fushë dhe për të ndihmuar Kosovën. “Të gjithë më kanë pritur mirë dhe më lehtë ishte të vij në Kosovë se diku tjetër, – ka thënë Selmani. – Jam krenar që luaj për Kosovën. Në Suedi ka shumë shqiptarë dhe besoj se do të vijnë shumë, shpresoj të vijnë sa më shumë”. Si ai, ashtu edhe futbollisti tjetër i Kosovës, Zymer Bytyçi, kanë vlerësuar atmosferën në skuadër.
“Atmosfera është e mirë, – ka thënë ai. – Kemi ardhur me energji të re, djemtë kanë ardhur nga klubet e tyre kanë bërë punë të mirë dhe luajtën mirë ndaj Spanjës. Atë energji pozitive e kemi marrë me vete për ndeshjet kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë.” Si Bytyçi, ashtu edhe Selmani, presin një përballje të fortë të shtunën me Suedinë. Talenti i Kosovës, Bytyqi, beson se Dardanët kanë shanse të mira të marrin pikë ndaj Suedisë, sfidë që luhet të shtunën. “Suedia bazohet në lojë fizike dhe kanë shumë lojtarë që duhet pasur kujdes”, – thotë ai.
“Nëse arrijmë t’i ndalim sulmuesit dhe mesfushorët kemi gjasa të mira, – vijoi Bytyçi. -Në Skandinavi ka shumë shqiptarë dhe do të jetë mirë për ne.” Ndërsa Selmani thekson: “Presim një ekip fizik. Ata janë të fortë në goditje këndi dhe në goditjet e lira. Kanë një renduesi fituesish si ekip. Jam i gatshëm për lojë dhe për ndeshjen kundër Suedisë”, përfundoi Selmani, që shpreson të debutojë me fanellën e “Dardanëve” në sfidën kundër Suedisë. Stërvitjen e radhës përfaqësuesja e Kosovës e zhvillon të mërkurën në orën 12:00 në Kompleksin e FFK-së në Hajvali.
Kosova mban vendin e 4-t të Grupit B me 4 pikë nga 5 ndeshje të zhvilluara. Spanja mban kreun me 13 pikë në 6 ndeshje të luajtura, kurse Suedia është në vendin e dytë me 9 pikë nga 4 ndeshje. Greqia është në vendin e 3-të, kurse Gjeorgjia renditet e fundit.