AlbanianSport.com 06/10/2021 20:55
ASNN – Sulmuesi i “3 Luanëve” kërkon suksesin në Katar si ngushëllim për “Euro 2020”-ën. Sulmuesi i krahut, Rahim Stërling, ka këmbëngulur se përfaqësuesja e Anglisë synon ta shkruajë historinë duke triumfuar në Botëror “Katar 2022”, pas humbjes në finalen e Kampionatit Evropian që u mbajt gjatë verës. Anglia, që ishte në kërkim të trofeut të parë të madh që nga viti 1966 kur e fitoi Botërorin, në “Euro 2020” u mposht nga Italia pas goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshve, në ndeshjen e luajtur në muajin korrik në stadiumin “Uembli” të Londrës.
Sa i përket paraqitjes në Botërorin e vitit të ardhshëm, Anglia një hap larg kualifikimit, teksa kryeson grupin I me 16 pikë të mbledhura pas 6 ndeshjeve të zhvilluara. “Jemi rritur shumë si ekip vitet e fundit dhe pas humbjes në finalen e Evropianit tani duam ta shkruajmë historinë dhe ta fitojmë Botërorin e vitit të ardhshëm, – ka pohuar Stërling. – Mendoj se ky edhe ishte mesazhi i trajnerit Gareth Sauthgejt pas disfatës zhgënjyese në finalen e Evropianit nga Italia. Kemi ekip të mirë dhe jam optimist se do të triumfojmë vitin e ardhshëm.”
Që nga koha kur Sauthget e mori drejtimin e ekipit në vitin 2016, Anglia arriti edhe në gjysmëfinale të Botërorit “Rusia 2018” dhe është e pamposhtur në Eliminatoret e Botërorit aktual, që do të mbahet në fund të vitit të ardhshëm. “Kur Sauthgejt erdhi si trajner, ai na i bëri të gjithëve të qarta synimet e tij”, – ka vijuar futbollisti i Mançester Sitit, duke vijuar: “Ai tha se donte që Anglia të luftonte në të gjitha frontet, të sfidonte favoritët, si në Evropian, ashtu edhe në Botëror. Mendoj se Anglia tani e ka këtë mundësi pasi llogaritet midis ekipeve të forta.”
“Ne kemi punuar shumë në këtë aspekt dhe në Botëror do të futemi maksimalisht të përgatitur dhe të motivuar për ta fituar këtë trofe për herë të parë pas një pritjeje të gjatë, – ka shtuar futbollisti anglez. – Mendoj se edhe qëndrimi i publikut dhe mediave ka ndryshuar ndaj nesh viteve të fundit pasi të gjithë besojnë në suksesin tonë.” Në fakt, Anglia mund ta konfirmojë pjesëmarrjen në Botërorin “Katar 2022” këtë muaj, me fitoret eventuale ndaj Andorrës dhe Hungarisë, të cilët, skuadra e Sauthgejtit i mposhti muajin e shkuar me rezultatin identik, 4-0.
“Ne duam t’i fitojmë këto dy ndeshje dhe pastaj të përgatitemi vetëm për paraqitje në Botëror, pasi do të jemi më të qetë pas kualifikimit, – ka theksuar Rahim Stërling. – Jam i bindur se këto eliminatore do t’i mbyllim pa humbje, pavarësisht që nuk e kemi aspak grupin e lehtë. Për ne është e rëndësishme që në Botëror të shkojmë me një formë të tillë”, – ka përfunduar futbollisti i përfaqësueses angleze.