AlbanianSport.com 06/10/2021 20:10
ASNN – Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Keidi Bare dhe Myrto Uzuni, kanë dalë ditën e martë në një konferencë për shtyp në Durrës, ku folën në lidhje me dy ndeshjet që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Kuqezinjtë u shprehën se do të futen në fushë për fitore, duke u ndalur fillimisht te ndeshja e parë me Hungarinë që do të luhet në Budapest, ndërsa më pas ndaj Polonisë në Tiranë, në Stadiumin “Arena Kombëtare”
Uzuni, i cili është në një formë mjaft të mirë, duke bërë paraqitje të shkëlqyera me Ferencvaroshin, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve u shpreh se jo vetëm ai por i gjithë ekipi do të japë maksimumin, ndërsa theksoi se është në kulmin e karrierës së tij. Duke qenë se Myrto Uzuni jeton në Hungari, ai tregoi edhe mbi atmosferën dhe se si po pritet kjo ndeshje atje. “E kam thënë gjithmonë që ndihem në formën time më të mirë të karrierës time por mendoj se Kombëtarja është diçka tjetër”, – ka thënë ai fillimisht.
“Ndaj duhet të përqendrohemi dhe nuk ka rëndësi se kush luan, por të jemi të gjithë së bashku për të arritur objektivat, – ka vijuar beratasi. – Të luaj kundër Hungarisë? Normalisht që unë dua të luaj çdo ndeshje, pavarësisht klubit ose Kombëtares, dua të jap gjithmonë kontributin tim dhe maksimumin, por do të thoja që Hungarinë e njoh mirë. Do të ishte një ndjenjë tjetër për mua, pasi jetoj dhe stërvitem aty me lojtarë që do të luajnë kundër Shqipërisë.” Po si po pritet ndeshja në Hungari? “Ndihet shumë atmosfera e ndeshjes aty, pasi edhe lojtarët flasin, fizioterapistët”, sqaron Uzuni.
“Të gjithë presin një ndeshje shumë të bukur dhe ata duan fitore, por mendoj se kush ekip do bëjë më pak gabime, ai ekip do fitojë”, – ka theksuar 26-vjeçari. Po a është epërsi për kuqezinjtë ndeshja pa tifozë? “Mendoj se nuk është një epërsi për ne, pasi Hungaria kur ka luajtur pa tifozë ka pasur rezultate shumë të mira dhe kur ka qenë me tifozë ka pasur rezultate negative dhe mendoj se nuk është një favor, por në fushë janë të 3 rezultatet”, – përgjigjet futbollisti kuqezi, i cili e pohon se ky është momenti më i mirë në karrierën e tij.
“Mendoj se tani është kulmi i karrierës sime, pasi po bëj shumë mirë edhe në Ligën e Evropës edhe te Ferencvaroshi, por edhe te Kombëtarja, në ndeshjen e fundit kam bërë mirë mendoj, – thotë Uzuni. – Mendoj se kjo varet në fushë dhe sa i motivuar je. Hungaria? Është e njëjta Kombëtare që do të gjejmë edhe aty, por janë dy trajnerë italianë si Rossi dhe mister Reja. Ata kanë të njëjtën strategji si ne, luajnë me 5-3-2 dhe mendoj se do jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar. Ekipi që do japë zemrën dhe shpirtin në fushë ka për të fituar. Trajneri ka llogaritë e tij, por në mendësinë time unë nuk hyj për barazim në fushë, por gjithmonë për fitore dhe të jap maksimumin.”