AlbanianSport.com 06/10/2021 19:25
ASNN – Trajneri i Francës, Didië Deshomp, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ndryshimet që ka bërë në skuadër përpara ndeshjes me Belgjikën. Ai ka ndryshuar 9 lojtarë në 3 ndeshjet e fundit që ka luajtur Franca. “E rëndësishme është që të ketë një ekuilibër në skuadër, të ketë lojtarë me përvojë, – ka thënë trajneri. – Të rinjtë i japin freski skuadrës. Dhe unë jam gjithnjë i kujdesshëm që të kemi një bërthamë të rëndësishme në fushë.”
Ai nuk e fsheh faktin që në fushë, do të jetë një luftë e vërtetë me Belgjikën. “Nuk është një term negativ, fakti që do të jetë një luftë, por kjo do të jetë në aspektin fizik, taktik dhe teknik, – ka thënë francezi. – Mendoj se ka respekt të mjaftueshëm midis meje dhe Roberto Martinez, midis lojtarëve, pasi ka shumë prej tyre që luajnë së bashku në nivel klubesh.”
“Por, për një orë e gjysmë, padyshim që do të jetë një lojë si një finale”, – shton Deshompi. “Ne duam të fitojmë dhe të harrojmë zhgënjimin e “Euro 2020”, – thotë mbrojtësi i përfaqësueses franceze, Rafael Varane, ndërsa Franca përgatitet të përballet me Belgjikën në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Të dy skuadrat u përballën me njëra-tjetrën në gjysmëfinalen e Botërorit 3 vjet më parë.
Por Varane nuk mendon se kjo do të jetë një ndeshje për hakmarrje. “Kjo është histori e të kaluarës”, – shton ai.