AlbanianSport.com 03/10/2021 21:40
ASNN – Vjen Preka në vend të Çepeles. Kombëtarja shqiptare e Nën-21-vjeçarëve ka nisur ditën e diel grumbullimin për dy ndeshjet zyrtare që do të zhvillojë ndaj Andorrës dhe Sllovenisë, sfida të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023 për këtë grupmoshë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi është grumbulluar në qytetin e Durrësit, ku do të zhvillojë edhe stërvitjet në kuadër të këtyre dy sfidave. Trajneri Bushi bëri publike ditën e shtunë listën me 25 lojtarët e ftuar për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Sllovenisë, mirëpo lista ka pësuar ndryshime ditën e sotme.
Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se mbrojtësi shqiptar i Hanover 96-ës, Ramen Çepele nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi për këto sfida, për shkak të një dëmtimi të pësuar. Çepele madje nuk udhëtoi drejt Shqipërisë.
Kësisoj, ai do të zëvendësohet nga mbrojtësi i Bylisit, Marcelino Preka, që do të jetë i gatshëm të vihet menjëherë nën urdhrat e Bushit. Ndërkaq, vendin e Prekës në Kombëtaren e Nën-19-vjeçarëve, i cili ishte thirrur në grumbullim nga trajneri Armando Cungu në kuadër të dy miqësoreve ndaj Malit të Zi do ta zërë lojtari i Dinamos, Elsamed Burgaj.
Ndeshja e parë e Kombëtares kuqezi të Nën-21-vjeçarëve është ajo ndaj Andorrës, që do të luhet më 7 tetor 2021, në Stadiumin “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 19:00 ndërsa katër ditë më vonë kuqezinjtë presin po në këtë stadium Slloveninë, sfidë që luhet në ora 18:30.