AlbanianSport.com 10.12.2014 22:35
ASNN – Volejbollistja shqiptare, ka përjetuar një tjetër mbrëmje të paharrueshme me skuadrën e saj norvegjeze, Stod Volejin, e cila mposhti në 3 sete sllovenet e Kalcit Kamnikut, në takimin e vlefshëm për turin e 16-shes së veprimtarisë së dytë të rrjetës kontinentale të femrave, që njihet si “Çellenxh Kap” (Challenge Cup).
Skuadra e 28-vjeçares e ka korrur këtë triumf në shtëpinë e saj, në Sallën Sportive të Stajnkerit, duke e fituar këtë sfidë brenda 90 minutash. 25-22, 31-29 dhe 25-19 kanë qenë shifrat e 3 seteve, por ajo që spikati, edhe sipas vlerësimeve të mediave norvegjeze, ishte loja e shqiptares.
Pas një seti të parë, ku Stod Voleji kryesoi vazhdimisht dhe e fitoi me 3 pikë diferencë, seti i dytë ishte një betejë e vërtetë, që nxorri në pah aftësitë udhëheqëse, por edhe grintën e Arjola Prengës, në një set që i bëri si sportistet, ashtu edhe të pranishmit e tjerë në Sallën Sportive të mbajnë frymën.
Ndonëse norvegjezet kryesuan në fillimin, sllovenet morën iniciativën për të vijuar të kryesojnë deri shifrat u barazuan në 22-22. Ajo që vijoi më pas me pikët nuk ka shumë nevojë për koment: 22-23, 23-23, 23-24, 24-24, 25-24, 25-25, 25-26, 26-26, 27-26, 27-27, 27-28, 28-28, 29-28, 29-29, 30-29 dhe, në fund, 31-29!
Edhe seti i tretë ishte i baraspeshuar deri në 16-16, por Stod Voleji vijoi ta fitonte atë me shifrat 25-19 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 25-19. Ndeshja e kthimit të këtij çifti luhet të mërkurën e ardhshme në Slloveni, por skuadrës së Arjola Prengës i nevojitet të fitojë vetëm një set për të siguruar vendin në çerekfinale.
Vetëm pak ditë më parë, volejbollistja shqiptare ka hedhur një hap të sigurt drejt një tjetër trofeu, pasi skuadra e saj, Stod Volej, ka triumfuar pa shumë probleme në gjysmëfinalen e Kupës së Norvegjisë, duke siguruar kështu vendin në finalen e madhe të 17 janarit.
Aty, ajo do të gjejë përballë, për të tretën herë radhazi, rivalen kryeqytetase, skuadrën e Oslo Volejit. Kjo e fundit e ka fituar këtë trofe para dy sezonesh, ndërsa Stod Voleji është hakmarrë sezonin e shkuar, duke bërë të vetin trofeun e dytë të volejbollit norvegjez të femrave.
Ndërkohë, Stod Voleji kryeson renditjen e kampionatit norvegjez, me 15 pikë, pas 5 fitoresh në aq takime, ku ka lëshuar vetëm dy sete, dhe me një pikë më tepër sesa rivalja nga kryeqyteti, është kualifikuar për në fazën finale të Ligës Nordike të Volejbollit për femra.