AlbanianSport.com 02/10/2021 22:25
ASNN – Mbizotëron në provat zyrtare të Çmimit të Madh të SHBA-së, gara, të dielën në RTSH Sport. Niveli më i lartë i Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto GP, zhvillon këtë fundjavë garën e 15-të të këtij sezoni. Dhe të shtunën në mbrëmje janë zhvilluar provat zyrtare, ndërsa të dielën në mbrëmje, zhvillohet edhe gara e Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara Amerikës. Sikundër çdo garë, edhe ajo e Ostinitm në Teksas, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 20:45.
Françesko Banajaja ka dëshmuar të shtunën në mbrëmje se forma e tij e shkëlqyer nuk është rastësi, duke siguruar, për herë të 4-t në karrierë dhe për të 3-të fundjavë radhazi, nisjen nga vendi i parë. Piloti italian ka qenë i papërmbajtshëm në fundin e provave zyrtare të Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të zhvilluar në pistën e Ostinit, në Teksas, duke mposhtur bindshëm rivalët e momentit, Fabio Kuartararon dhe Mark Markezin dhe duke vendosur kohën më të shpejtë, me 2 minuta, 2 sekonda dhe 781 të mijëtat.
Në fakt, përgjatë fundjavës, në 4 seancat e provave të lira të së premtes dhe të shtunës, por edhe në dy seancat e provave zyrtare të së shtunës në mbrëmje, teksa “Dukati” dhe “Honda” mbizëtoruan 10-shen e të parëve, me Xhek Millerin dhe Mark Markezin që i patën dhënë tonin. Dhe ishte Markez ai që deri pak para fundit, regjistroi një kohë të mirë, por Banjaja vijoi të tregonte veten pikërisht atëherë kur duhej, duke e përmirësuar kohën e spanjollit me afro gjysmë sekonde dhe, përtej një përpjekjeje të francezit të “Jamaha”-s zyrtare, italiani i “Dukati”-t e ka ruajtur vendin e parë.
Kuartararo, i cili regjistroi kohën 2 minuta, 3 sekonda e 129 të mijëtat, pra, 348 të mijëtat më i ngadaltë se italiani, siguroi vendin e dytë, duke e detyruar Mark Markezin të kënaqet me vendin e 3-të të renditjes, teksa ishte ishte vetëm 80 të mijëtat më i ngadaltë sesa francezi, por 428 të mijëtat më i ngadaltë se Banjaja. Megjithatë, për Markezin gara e së dielës është e para pas 441 ditësh që ai do të niset nga radha e parë në një garë të Moto GP-së. Në radhën e dytë do të rreshtohen Horhe Martin, Taka’aki Nakagami dhe Johan Zarkon, në të 3-tën Aleks Rins, Joan Mir e Luka Marini, ndërsa vetëm vendi i 10-të në nisje për Xhek Millerin.