AlbanianSport.com 01/10/2021 22:25
ASNN – Trajneri: “Nuk jam kontaktuar nga Barcelona për të zëvendësuar Kumanin”. Trajneri i Belgjikës, Roberto Martínez, ka mohuar të ketë patur kontakte me Barcelonën, si një zëvendësues i mundshëm i Ronald Kumanit. Ai siguron se objektivi i tij është të përmbushë “deri në ditën e fundit” kontratën e tij me Belgjikën, edhe pse pranon se shumë gjëra mund të ndryshojnë gjatë rrugës. “Nuk ka absolutisht asgjë, nuk ka kontakte”, – tha Martinezi në një intervistë të botuar nga mediat belge këtë të premte.
Trajneri, emri i të cilit është shfaqur në shtypin spanjoll si një zëvendësues i mundshëm i Kumanit, pranon se ai ka një miqësi të ngushtë me Zhordi Krujfin, drejtor në klubin e Barcelonës, por thotë se ata nuk kanë biseduar me klubin katalan për këtë gjë. “Baza e miqësisë sime me Zhordin është që ne të ndajmë anën private nga ajo profesioniste, – tha trajneri spanjoll. – Në asnjë moment nuk e kam pyetur Zhordin nëse e ardhmja ishte në Barcelonë.” Martínez, i cili ka qenë në krye të përfaqësueses belge për 5 vjet, ka një kontratë deri pas mbylljes së “Katar 2022”.
Ai këmbëngul se dëshiron ta përmbushë atë kontratë dhe thotë se është i përqendruar në Ligën e Kombeve dhe kualifikimin për në Botëror, edhe pse ai nuk përjashton asnjë mundësi. “Do të doja që ne të ishim vendi i parë evropian që kualifikohej për në Botërorin e Katarit. Kjo është sfida pas finales së Ligës së Kombeve. Por në futboll nuk e dini kurrë se çfarë do të bëhet nesër. Zgjohem çdo mëngjes si trajner i Belgjikës deri në ditën e fundit të kontratës sime, por e kuptoj që shumë rrethana mund të lindin gjatë rrugës”, – përfundoi Roberto Martinez.