AlbanianSport.com 30/09/2021 22:25
ASNN – Shqipëria e Nën-17-vjeçareve në futboll për femra ka barazuar me rezultatin 3-3 ndeshjen e fundit me Azerbajxhanin, një sfidë kjo e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2021/2022 të kësaj grupmoshe dhe që u zhvilluar të enjten në Stadiumin “Elbasan Arena”. Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Agustin Kola e nisi ndeshjen me këtë formacion: Synaj, Tori, Bilinishta, Maxhalaku (kapitene) (Dida 46’), Marku (Coka 56’), Danaj (Muca 85’), Kodra, Borci, Methoxha, Alijaj dhe Kallbaqi (Habili 32’).
Ishin vajzat kuqezi ato të cilat kaluan të parat në epërsi, që në minutën e 7-të të takimit, pas një 11-metërshi të akorduar në favor të skuadrës tonë, që u ekzekutua në mënyrë të saktë nga Klaudia Borci. Skuadra e drejtuar nga Kola bën një lojë të mirë, duke menaxhuar mirë rezultatin, teksa në minutën e 21-të dyfishon shifrat. Era Methoxha godet nga jashtë zone një top që grushtohet fillimisht nga portierja mike, por Juarda Alijaj gjendet në zonë për ta dërguar topin në rrjetë.
Disa minuta më vonë, kundërshtaret ngushtojnë shifrat, duke e dërguar rezultatin në 1-2. Skuadra mike arrin të gjejë rrjetën edhe dy herë të tjera në harkun kohor të 7 minutave, duke barazuar rezultatin në minutën e 40-të ndërsa në minutat shtesë të kësaj pjese, shënon edhe golin e tretë. Në pjesën e dytë të lojës, vajzat kuqezi nisin dukshëm më mirë, me dëshirën për të shënuar gol, teksa trajneri Kola freskon mbrojtjen, duke hedhur në lojë Erisa Didën dhe duke dalë nga loja Rexhina Maxhalaku në minutën e 46-të.
Ndërsa në minutën e 56-të, për shkak të një përplasjeje me portieren kuqezi, del e dëmtuar nga loja Donatela Marku dhe futet në lojë Jehona Coka, autorja e golit të tretë në minutën e 86-të të takimit, që barazoi kështu shifrat në 3-3. Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Shqipëria renditet e 3-ta, pra e fundit, në grupin B, pjesë e Ligës B, së bashku, ku shorti e pati vendosur së bashku me Malin e Zi dhe Azerbajxhanin.