AlbanianSport.com 29/09/2021 21:40
ASNN – Piloti spanjoll ka fituar 6 nga 7 garat e zhvilluara në Ostin. Kështu, Mark Markezi rikthehet në Amerikë. Pikërisht në pistën e Ostinit, piloti spanjoll ka fituar 6 nga 7 garat e zhvilluara aty duke u bërë “Mbreti i Amerikës”. Por ai e di që këtë fundjavë nuk do ta ketë të lehtë të arrijë fitoren. Piloti i “Honda”-s është ende në fazë rikuperimi pas dëmtimit në krah. “Kapiteni i Amerikës” (Captain America) kthehet për të shkelur tokën e tij të premtuar.
Mark Márkez zbret në Ostin të Teksasit, një tjetër prej pistave të tij të preferuar. Pas një viti pushim për shkak të epidemisë së “Covid-19”, në Moto GP rikthehet Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Botërori i Moto GP do të zhvillojë vetëm një garë në kontinentin amerikan për t’u rikthyer në Evropë me 3 gara të tjera në Mizano, Portimao dhe Valencia. Mark Márkez, i cili, ende në një gjendje rikuperimi, mezi priste të udhëtonte në një nga pistat e tij të preferuara në kalendar.
Aty ku ai ka mbretëruar gjithmonë, përveç në vitin 2019, kur rrëzimi e la atë pa fitoren e tij të 7-të radhazi. Në Ostin, e njëjta pistë me atë të Formulës 1, piloti spanjoll ka fituar 6 nga 7 garat e zhvilluara aty, pa u dhënë asnjë mundësi rivalëve, duke u shpallur kështu Mbreti i Amerikës. Por siç thotë ai vetë, ky vit “është pak më ndryshe”. Situata e tij me dëmtimin e krahut dhe kufizimet e tij janë përmirësuar, por në një pistë të gjatë 5.5 km me 20 kthesa (11 në të majtë dhe 9 në të djathtë), dhimbja në vendin e dëmtuar, nuk do të zgjasë shumë për t’u shfaqur.
Për këtë arsye, pas vendit të katërt në Mizano, që na bën të mendojmë për një podium të sigurt në Ostin, piloti i “Honda”-s e ka të qartë situatën e tij, për garën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Megjithë problemet e mia, unë thjesht shkoj atje me të njëjtën mendësi si gjithmonë, të jap maksimumin tim, të marr 100% nga gara dhe, mbi të gjitha, ta shijoj atë, – ka thënë Markezi. – Është një pistë që më pëlqen dhe në të kaluarën ka qenë shumë e mirë për ne.”
“Por ky vit është pak më ndryshe me situatën tonë aktuale, – ka shtuar piloti spanjoll. – Si gjithmonë, do të jetë e rëndësishme të punojmë gjatë fundjavës dhe të shohim se ku jemi të dielën në mëngjes.” Por, duke ditur mendësinë e spanjollit, të gjithë e dinë se Mark Markezi do të kërkojë, ose të paktën, do të përpiqet, të rimarrë territorin e tij.