AlbanianSport.com 29/09/2021 19:25
ASNN – CONMEBOL dhe UEFA zgjerojnë bashkëpunimin e tyre. Të dy organizatat kanë rënë dakord që fituesit e Kupës së Amerikës dhe Kampionatit Evropian do të përballen me njëri -tjetrin. Argjentina dhe Italia, dy ekipet fituese të këtyre trofeve, me ndeshjen e tyre do të përurojnë këtë veprimtari. Kështu Konfederata e Amerikanojugore e Futbollit (CONMEBOL) dhe UEFA kanë zgjeruar bashkëpunimin midis tyre. Kjo gjë do të konkretizohet me një projekt të ri.
Të dy organizatat do të zhvillojnë një ndeshje midis fituesit të Kupës së Amerikës 2021, që është Argjentina dhe fituesit të Euro 2020, Italisë. Marrëveshja do të bëhet për tre edicione, në të cilat do të luhet kjo ndeshje mes ekipeve “kampione” të dy kontinenteve. Përballja e parë midis Argjentinës dhe Italisë do të zhvillohet në qershor 2022, me një vend që ende nuk është konfirmuar.
Ky bashkëpunim kërkon që të dy organizatat të shprehin angazhimin e tyre në zhvillimin e futbollit përtej kufijve dhe zonave gjeografike, duke e bërë këtë sport një urë lidhëse mes njerëzve, vendeve, kontinenteve dhe kulturave. Ky bashkëpunim synon gjithashtu zgjerimin e projekteve në futbollin e femrave, futbollin e sallës dhe kategoritë e ulëta, përveç vazhdimit të promovimit të shkëmbimit të gjyqtarëve e programeve të trajnimit teknik.
Gjithashtu, CONMEBOL dhe UEFA do të hapin së bashku një zyrë në Londër, e cila do të jetë përgjegjëse për koordinimin e projekteve me interes të përbashkët. Objektivi është të vazhdojnë bashkëpunimin për çështje që forcojnë të dy organizatat dhe të vazhdojnë të përmirësojnë lidhjet bashkëpunuese.