AlbanianSport.com 28/09/2021 22:10
ASNN – Çmimi i Madh i Turqisë, garë vendimtare për të dy skuadrat. Kështu, me Çmimin e Madh të Rusisë, mbyllet edhe bilanci i “Ferrari”-t për muajin shtator, që është disi zhgënjyes. Kur bëhet fjalë për konkurrencën me “MekLaren”-in për vendin e 3-të në Botërorin e skuadrave. Pas garave në Zandvo’ort, Monza e Soçi, skuadra britanike e ka rritur diferencën në renditje me skuadrën italiane, duke marrë 65 pikë kundrejt 51 të Ferrarit.
Ndaj në Maranelo të gjithë janë duke u bërë gati për garën e ardhshme të Botërorit të Formula 1, Çmimin e Madh të Turqisë, i programuar për t’u zhvilluar në fundjavën e dytë të tetorit në Stamboll. Aty ku “Ferrari” e ka traditë fitoren, por kjo i përket një kohe të hershme. Në vigjilje të Çmimit të Madh të Turqisë, “MekLaren”-it ka 234 pikë kundrejt 216.5 pikëve të “Ferrari”-t.
Një diferencë prej vetëm 17.5 pikësh, jo shumë në fakt por që duhet të rikuperohen vetëm në sajë të përmirësimit drastik të rendimentit të gomave, që vazhdon të jetë “thembra e Akilit” për “Kokëkuqen SF21”. Por duket se kjo gjë do të jetë tepër e vështirë për t’u realizuar për “Ferrari”-n, për shkak të rregullores që i ndalon edhe këtë sezon çdo ndërhyrje në makinë.