AlbanianSport.com 10.12.2014 18:55
Përralla e vëllezërve Spahiu është kurorëzuar me një medalje të artë dhe një medalje bronzi në kampionatin italian të boksit të mbyllur një ditë më parë në shtetin përtej Adriatikut. Kështu informon Agjencia Telegrafike Shqiptare në faqen e saj në internet www.ata.gov.al. Sipas lajmeve që vinë nga gadishulli Apenin mësohet se Alesio Spahiu (23 vjeç) ka mposhtur me rezultatin 3-0 finalistin tjetër Mirko Karbotin, duke u ngjitur në majën më të lartë të podiumit dhe duke u shpallur për herë të parë në karrierën e tij kampion i Italisë për peshën maksimale mbi 91 kilogram.
Po ashtu në këtë sukses shqiptarë në Itali mori pjesë edhe vëllai i madh i Alesios, Endri Spahiu, i cili u ngjit në shkallën më të ulët të podiumit, duke u mundur nga një boksier nga Roma dhe duke marrë medalje bronzi. 27-vjeçari duhet thënë se ka një karrierë edhe më të suksesshme se Alesio. Ai është kampioni absolut i Lombardisë, për pesë vite radhazi, dhe nuk numëron asnjë takim të humbur në këtë rajon. Ky sukses është seria e fundit e një përralle moderne shqiptare, zanafilla e të cilës daton pikërisht në vitin e kthesës së madhe.
Familja Spahiu, me ëndrrën e një jete më të mirë, “përkëdheli” eksodin e vitit 1991 të shqiptarëve drejt Italisë. Me një djalë të sapo të lindur, Endrin në qytetin e Durrësit, familja Spahiu merr iniciativën më të madhe duke u përballur me viganin e fjetur, që me blunë e tij nga njëra anë të përpinte dhe nga krahu tjetër të jepte shpresë. Atë fije shpresë që shqiptarët e mbajtën në jetë duke tretur veten përballë një regjimi të errët, i cili burgosi ato në vendin e tyre. Por historia e familjes Spahiu është një histori me fund të lumtur.
Një fund ku shpresa dhe ëndrra i dha dritë “miqësisë” me valët e detit, të cilat u kthyen në udhërrëfyesin më të mirë të kësaj familje që shkeli në tokën, të cilën pa e ditur, do ta sundonte përmes boksit. Vitet kalojnë dhe familja rritet. Në jetë vjen edhe vëllai i vogël, Alesio, i cili duke ndjekur hapat e vëllait të madh Endrit do të kurorëzohej “kampion” i Italisë në moshën 23-vjeçare. “Doja të dobësohesha dhe kështu vendosa të regjistrohem në palestër në vitin 2008, – thotë Endri. – Kam lindur në Durrës në vitin 1987 dhe me familjen u transferuam në Breshia.”
“Peshoja shumë dhe për këtë vendosa të futesha në palestër. Aty një mik më drejtoi tek boksi dhe falë punës dhe mundit kam arritur këto rezultate”,- shprehet Endri. “Kur isha 16-vjeç peshoja 148 kilogram dhe pasi pashë vëllanë që përmes palestrës arriti rezultatet të mira, vendosa ta ndjek. Sot peshojë 108 kilogram dhe më fund arrita të realizoja një ëndërr, të shpallem kampion i Italisë në Boks, edhe pse duhet thënë se vëllai im është më i fortë se unë”, shprehet Alesio. Kështu vëllezërit Spahiu po dominojnë ringun e boksit në Itali, ndërsa shumë shpejt duhet të shihen dhe nga Federata Shqiptare e Boksit.