AlbanianSport.com 27/09/2021 19:25
ASNN – Ljuis Hemilton ka fituar në Soçi duke treguar edhe njëherë se përvoja është një faktor plus në garat e Formula 1. Në anën tjetër, Lando Norrisi vuan pasojat e kokëfortësisë dhe mungesës së përvojë. Nga kjo përfitojnë Maks Verstapeni dhe Karlos Sainzi. Edhe njëherë tjetër shiu bëhet protagonist në garat e Formulës 1. Këtë radhë, viktimë e këtij fenomeni natyror është Çmimi i Madh i Rusisë. 3 xhiro para përfundimit të garës, shiu i rrëmbyer pushton pistën e Soçit, duke bërë që makinat të hyjnë në garazhe për të ndërruar gomat, gjë që sjell edhe konfuzion në pistë.
Ky vend i tretë ishte podiumi më i ëmbël për Karlos Sainzin. Ai mori kryesimin e garës që në fillim duke kryer xhiro të tëra madje duke vendosur edhe kohë rekord në Çmimin e Madh të Rusisë. Ai nuk u dorëzua dhe nuk hoqi dorë deri në fund, edhe kur kapriçot e motit përmbysën gjithçka përsa i përket strategjive të skuadrave. “Po synon vendin e 5-të”, – i tha në radio inxhinieri i tij, Riki Adam. “Bëni gati gomat e ndërmjetme”, – u përgjigj piloti spanjoll kur 3 xhiro para fundit të garës retë kërcënuese të Detit të Zi mbuluan qarkun e Soçit. Dhe kështu Sainz arriti në podium, por vetëm i 3-ti.
Sepse para tij ishin dy rivalët e Formulës 1, Ljuis Hemiltoni, që është “padron” i Rusisë, dhe Maks Verstapenit, që me një marshim të pabesueshëm nga nisja në vendin e fundit, mbërrin në finish i dyti. Ndërsa duhet t’i dhembë shumë, madje për shumë kohë, rezultati i pamerituar i kësaj gare, Lando Norrisit. Edhe pse udhëhoqi thuajse gjatë garës, piloti anglez, nuk iu bind skuadrës, në momentin më vendimtar të garës. 3 xhiro para përfundimit, kur filloi shiu, “MekLaren”-i e urdhëroi Norrisin të hynte për të ndërruar gomat. Por mungesa e përvojës dhe kokëfortësia e anglezit bënë që ai të mos bindej dhe të vazhdonte garën me gomat që kishte.
Por jo, ky ishte një veprim krejtësisht i gabuar i Norrisit, që e pagoi me daljen jashtë piste. Por ai është 21 vjeç ka shumë për të mësuar dhe fitoret do të vijnë. Ndërsa edhe njëherë fitoi përvoja. Sër Ljuis bëri punën e tij si duhet dhe kaloi vijën e finishit gati një minutë përpara nënkampionit, duke arritur fitoren e tij të 100-të në Formula 1. Një tjetër arritje në karrierën e tij. Ndërsa holandezi është për t’u admiruar që arriti në vendin e dytë, pasi parakaloi të gjithë makinat, edhe pse u nis nga vendi i fundit i garës. Pas kësaj gare, Hemiltoni ka rimarrë kryesimin e renditjes për pilotë me 246.5 pikë, kundrejt 244.5 të Verstapenit