AlbanianSport.com 27/09/2021 18:40
ASNN – Kukësi dhe Laçi janë ndarë në barazim 2-2 në javën e 3-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Verilindorët e mbyllën pjesën e parë në epërsi me golin e Milunoviçit në minutën e 30-të. Në minutën e 58-të, kroati Edi Basha dyfishon rezultatin. Por kurbinasit nuk u dorëzuan dhe, në minutën e 69-të, rihapin ndeshjen me Zarubicën dhe pas presioneve të mëdha të vendasve, në sekondat e fundit të takimit, në të 95-ën barazojnë rezultatin sërish me Zarubicën.
Kështu, dygolëshi i Zarubicës shpëton kurbinasit nga humbja përballë verilindorët kryesues dhe njëkohësisht i jep frymëmarrje stolit të trajnerit Vukiçeviç, që rrezikon jo pak nga rezultatet, por edhe nga loja e treguar nga bardhezinjtë në pjesën e parë. Longo ndalet për herë të parë në javën e 3-të të Superiores, por për italianin është keqardhja e një epërsia e të dyfishtë të çuar dëm, në kohën kur të tijtë mund ta kishin administruar ndryshe ndeshjen.
Ndeshja ishte krejtësisht në favor të bluve, që luajtën një pjesë të parë me sens unik, duke goditur prapavijën kurbinase, por vetëm në minutën e 30-të mundën të zhbllokojnë ndeshjen. Milunoviç shënoi golin e epërsisë për skuadrën e Longos, që imponoi lojën pa rrezikuar praktikisht asgjë prapa. Rreziku për t’u ndëshkuar me skuadrat të tendosura në fushë ishte, por për fatin e Laçit blutë falin shumë, si Shqiprim Taipi me portën e boshatisur, në minutën e 50-të.
Por fati u duk se braktisi kurbinasit në minutën e 57-të kur kaloi nga mundësua për barazimin 1-1 në 0-2 në harkun e vetëm një minute. Lushkjan e ndali vetëm shtylla për t’iu gëzuar barazimit dhe në krahun tjetër, e fronteve Basha i ndëshkoi me golin e dytë. Duhet të kishte shembur shpresat e Laçit kjo situatë, por ndodhi e kundërta. Efekti ishte një shkundje totale, e ndihmuar edhe nga një tërheqje e parakohshme e Kukësit në mbrojtje të rezultatit.
Zarubica mori iniciativën, duke lëvizur mirë brenda zonës për golin që ktheu Laçin në lojë e më pas, në minutën e 83-të duke tentuar kuadratin e Kukësit sërish. Pa rezultat, por vetëm deri në minutën e 5-të shtesë, sepse malazezi nuk hoqi dorë dhe barazoi një ndeshje dramatike, duke i bërë një favor të madh bashkatdhetarit të tij në stol. Kukësit i fluturon fitorja nga duart dhe e mbylli me 10 lojtarë sfidën, pas kartonit të dytë të verdhë të Lulajt, por dy pikët e lëna në Laç janë më tepër përgjegjësi e tyre, sepse kurbinasit i falën më shumë se një pjesë loje.