AlbanianSport.com 27/09/2021 17:55
ASNN – Uzuni thuajse perfekt me Ferencvarosh. 11-metërsh, pasim për gol dhe gol të shënuar në Hungari!. Myrto Uzuni po kthehet në një nga protagonistët kryesorë të ekipit hungarez të Ferencvarosh, teksa ditën e diel ka zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer kundër Ujpeshtit.
Sulmuesi kuqezi ka bërë mjaft mirë, teksa që në minutën e 5-të të takimit ka arritur të fitojë dhe t’i dhurojë skuadrës së tij një 11-metërsh, që do të ekzekutohej saktë nga M’mai, duke kaluar në epërsi vendësit. Pak minuta para fundit të pjesës së parë, shqiptari jep një pasim për Nguen Tokmakun, i cili e shfrytëzon më së miri, duke e kthyer në gol.
Sulmuesi shqiptar, i cili është kthyer në një gjuetar golash me hungarezët e Ferencvaroshit, arriti të gjejë rrugën e rrjetës dy herë, por goli i parë i shënuar në minutën e 81-të, iu anulua nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), ndërsa 6 minuta më vonë, në të 87-tën ai shënon golin e 3-të për ekipin e tij, që fitoi me rezultatin final 3-1.
Duket se kjo fundjavë ka folur shqip, teksa edhe futbollistë të tjerë të Kombëtares kuqezi kanë bërë mirë me skuadrat e tyre nëpër Evropë, ku mesfushorët Bajrami e Selahi kanë shënuar, ndërsa Lenjani e Balliu kanë dhuruar pasime për gol për shokët e skuadrave të tyre.