AlbanianSport.com 27/09/2021 16:25
ASNN – Deklaratat e Presidentit Demi “trazojnë ujërat” në kampin e Partizanit, trajneri kërkon durim. Me vetëm dy pikë nga 9 të mundshme, të marra në këto 3 javë të para, ku ka shënuar vetëm dy gola dhe ka pësuar 3, Partizani nuk i ka përligjur pritshmëritë dhe një tjetër hap fals në kampionat mund t’i kushtojë stolin Ilir Dajës. Në fakt, stoli i të kuqve kryeqytetas është shndërruar kështu në “një minë me sahat” për 54-vjeçarin, i cili, nga ana e tij, kërkon durim, si nga drejtuesit, ashtu edhe nga tifozët.
“Mirë dhe një pikë, nuk është keq. Ekipi nuk luajti keq, në fakt, dhe ishte një barazim i merituar. Shpresojmë që nga java në javë të ecim më mirë. Pritshmëritë ishin vetëm për fitore gjithnjë, por fati nuk ishte me ne. Duhet pyetur stafi teknik për lojën, Ilir Daja e di pse nuk po merret fitorja e parë në kampionat. Afrimet? Nuk jam ekspert për afrimet që të them se si janë. Megjithatë, thonë që janë afrime të mira. Të shohim tani. Stafit ia kemi plotësuar kërkesat 100 %.”
Kanë qenë këto pak fjalë të presidentit të Partizanit, Gaz Demi, që kanë trazuar jo pak ujërat në kampin e kuq, duke ngritur edhe pikëpyetje sa i përket të ardhmes së Ilir Dajës në krye të stolit të kryeqytetasve. Ndërkaq, vetë trajneri është treguar diplomatik në përgjigje kur u pyet për komentet e presidentit pas barazimit 1-1 të dielën me Vllazninë në “Elbasan Arena”, duke cituar mungesën e një fushe strërvitore dhe duke kërkuar tërthorazi durim.
“Unë e mirëkuptoj presidentin, sepse ai po bën një superinvestim, një shtëpi të re për Partizanin, që në fakt na ka kushtëzuar mjaft sa i përket stërvitjes në kushte dhe orare normale për një skuadër si e jona, – tha Daja. – Po kështu, edhe investimi i tij në merkato ka qenë masiv, duke plotësuar çdo kërkesë tonën sa i përket kontingjentit të lojtarëve. Prandaj ne na del për detyrë ta përligjim këtë investim të tij dhe lojën që po bëjmë, që është përmirësuar, ta kthejmë në rezultate.”
Megjithatë, edhe vetë Daja e pranon se koha nuk po punon për të, duke parë edhe reagimin e tifozëve. “Unë i kuptoj tifozët, por edhe ata duhet të kenë parasysh që kemi ende lojtarë që nuk janë në 100 % të formës së tyre fizike, – ka thënë ai. – Megjithatë, është fakt që duhet të kishim marrë më shumë pikë se ç’kemi hëpërhë.” Me vetëm dy pikë nga 9 të mundshme, të marra në këto 3 javë të para, ku ka shënuar vetëm dy gola dhe ka pësuar 3, Partizani nuk i ka përligjur pritshmëritë dhe një tjetër hap fals në kampionat mund t’i kushtojë stolin Ilir Dajës.