AlbanianSport.com 26/09/2021 20:55
ASNN – Triumfon si për femra, ashtu edhe për meshkuj në “uverturën”e sezonit të ri të rrjetës shqiptar. Rrjeta shqiptare ka ngritur siparin e sezonit të ri të saj me veprimtarinë e parë, që ishte pikërisht Kupa e Federatës. Kjo veprimtari është zhvilluar përgjatë 3 ditëve të fundjavës dhe organizimi që qeveris rrjetën në vend, Federata Shqiptare e Volejbollit, pati përzgjedhur Sallën e re sportive të Farkës për organizimin e kësaj veprimtarie.
Dhe pasi janë zhvilluar të premten gjysmëfinalet e femrave, ku Tirana mundi në 2 sete Barleti Volejin, ashtu sikundër bëri edhe Partizani ndaj Vllaznia, të shtunën janë zhvilluar gjysmëfinalet e meshkujve, aty ku Tirana mposhti në 3 sete Partizanin, ndërsa Vllaznia triumfoi pas 5 setesh, 3-2 ndaj Erzenit. Dhe të dielën janë luajtur dy finalet, të cilat janë sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 3.
Tek finalja e femrave, që është luajtur pasdite, janë dashur për të përcaktuar fituesen pasi është Tirana që e fiton setin e parë, 25-21, si dhe të dytin 25-14, dhe duke krijuar idenë e një triumfi të lehtë të skuadrës së trajneres Amarilda Prenga-Sijoni në këtë derbi të kryeqytetit. Por Partizani i drejtuar nga trajneri Andi Lundra ka reaguar, duke e fituar setin e dytë, 25-20 dhe atë të 4-t, 25-17 dhe duke bërë që fati i kësaj ndeshjeje të vendosej në setin e pestë.
Aty ku Tirana triumfon 15-8, duke e fituar gjithë ndeshjen me shifrat 3-2 dhe bashkë me të edhe trofeun e parë të këtij sezoni. Ndërkaq, nuk ka patur të tillë histori finalja e meshkujve, pasi ajo ka qenë një rrugë me një kalim për skuadrën e Tiranës, të drejtuar nga trajneri Ben Sako, e cila ka nevojë vetëm për 3 setet dhe vetëm për 66 minuta për të mposhtur bindshëm Vllazninë. Seti i parë ka folur vetëm për bardheblutë, të cilët e marrin atë 25-12.
Ndërsa Vllaznia është përpjekur të bëjë diçka në setin e dytë, por është sërish Tirana që e merr atë me shifrat 25-16. Kuqeblutë duken të dorëzuar në setin e 3-të dhe të fundit, aty ku kanë arritur të shënojnë vetëm 10 pikë, kundrejt 25 pikëve të Tiranës, që e fiton kështu gjithë takimin 3-0 me sete dhe vulos triumfin e dyfishtë të saj, si për meshkuj, ashtu edhe për femra në Kupën e FSHV-së, që ishte edhe veprimtaria e parë e këtij sezoni të rrjetës shqiptare, për t’ia lënë vendin kampionatit.