AlbanianSport.com 25/09/2021 21:40
ASNN – Janë luajtur të shtunën dy ndeshjet e para të javës së 3-të të Kategorisë Superiore, ku Teuta, si pritëse, ka barazuar 0-0 në Rrogozhinë me Dinamon, ndërsa në Kamëz, Kastrioti pritës i ka marrë një barazim 1-1 Tiranës. Në stadiumin e Kamzës ishin krutanët që kaluan të parët në epërsi, me anë të Karakaçit në minutën e 41-të.
Ai ekzekutoi një 11-metërsh, duke dështuar në goditjen e parë, por më pas ka bërë goditjen e duhur me kokë. Fillimi i pjesës së dytë ka folur për bardheblutë, të cilët kanë arritur të gjejnë dhe rrugën e rrjetës me anë të Seferit në minutën e 49-të. Shumë minuta në dispozicion deri në fundin e takimit, shumë mundësi të krijuara, por rezultati ka mbetur i mbërthyer në shifrat 1-1.
Në Stadiumin e Egnatias së Rrogozhinës, Teuta dhe Dinamo janë mbërthyer në një barazim 0-0, pavarësisht volumit të lojës dhe rasteve të krijuara. Një sfidë e ekuilibruar, ku të dyja skuadrat provuan mundësitë e tyre për të fituar, por pa rezultat. Ky është barazimi i dytë radhazi për të dyja skuadrat, pasi Teuta barazoi 1-1 një javë më parë me Vllazninë, dhe po 1-1 barazoi edhe Dinamo përballë Laçit.