AlbanianSport.com 25/09/2021 20:55
ASNN – Të shtunën është hedhur shorti për edicionin e ri të Kampionatit Kombëtar të Femrave në futboll. Në shortin e zhvilluar në mjediset e Stadiumit “Arena Kombëtare” përfaqësuesit e 11 klubeve të futbollit të femrave u njohën me kalendarin për 21 javët e sezonit 2021-2022. Kampionati është i përbërë nga 11 skuadra dhe do zhvillohet në dy faza, me çdo skuadër që do të luajë 20 ndeshje.
Alpin Gallo, trajneri i ekipit të Tiranës falënderoi Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për punën e bërë me futbollin e femrave, ndërsa foli edhe për objektivat e Tiranës në këtë edicion të ri. “Para se të dal te shorti dua të falënderoj Federatën për ndryshimet pozitive të bëra, pasi e dimë pak a shumë si ka qenë problematika e futbollit të femrave, – ka deklaruar ai fillimisht.”
“E nisëm me vështirësi, por është një mision mjaft i rëndësishëm për sportin, sepse siç e ushtron në mënyrë masive futbollin e meshkujve, një rëndësi të madhe i ka dhënë edhe futbollit të femrave, që për mua këto vitet e fundit ka marrë një zhvillim mjaft të madh, – ka vijuar ish-futbollisti i njohur. – Është viti i dytë që merrem me trajnimin e ekipeve të femrave të Tiranës.”
“Për të qenë realist, e mora pak me pesimizëm, sepse nuk kisha trajnuar ndonjëherë vajzat, por pashë grintë dhe ego më të madhe se te gjinia mashkullore, – ka theksuar 47-vjeçari. – Femrat kanë një karakter të domosdoshëm për të qenë sportiste dhe sa vjen e po përmirësohet futbolli i femrave. Sepse edhe vetë FSHF-ja ka një ndihmesë mjaft të madhe dhe për mënyrën e organizimit, që është shumë e mirë.
“Duke shtuar këtu edhe detyrimin e klubeve për të pasur ekip femrash, e bën që të krijojë një vëmendje dhe një tjetër vizion për të ardhmen e futbollit të femrave”, – ka shtuar ai. Po cilat janë objektivat e Tiranës? “Po t’i pyesësh të gjithë ekipet, thonë që duan të dalin “kampion”, – përgjigjet ish-lojtari ndër të tjera i Tiranës, Bylisit, Dinamos dhe Partizanit.
“Vërtetë ne kemi krijuar një grup relativisht të mirë, kemi ruajtur frymën e grupit të vjetshëm. Besoj se këtë vit do të kemi një futboll, akoma edhe më të bukur. Rruga është shumë e gjatë për të thënë se ku do arrijmë, por me atë që kemi bërë dhe atë që kemi krijuar, besoj se do jemi në vendet e para”, – ka përfunduar trajneri i Tiranës së futbollit të femrave, Alpin Gallo.
Java e parë do të luhet më 2 tetor dhe këto janë çiftet:
Vllaznia – Murlani
Atletik Club – Skënderbeu
Apolonia – Partizani
Kinostudio – Tirana
Lushnja – Teuta
Tirana AS (pushim)
Kalendari i plotë i edicionit 2021-2022:
https://fshf.org/wp-content/uploads/2021/09/Kalendar-Femra-2021-2022.pdf