AlbanianSport.com 25/09/2021 20:10
ASNN – Në prag të përballjes me Vllazninë, që do të luhet të dielën në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:45, trajneri i Partizanit, Ilir Daja, e ka të qartë, Partizani nuk mund të gabojë këtë javë, pavarësisht se përballë është një skuadër e fortë si kuqeblutë. Të dielën të kuqtë duhet të reagojnë për rezultatet aspak premtuese të arritura në dy javët e para dhe duhet ta bëjnë pikërisht përballë kuqebluve, ku shkalla e vështirësisë është në maksimum. “Pas ndeshjes me Skënderbeun deklarova se në atë ndeshje nuk gjej asnjë gabim”, – ka deklaruar Daja, në konferencën për shtyp një ditë përpara ndeshjes.
“Përsa i përket rastit të golit, nuk është gabim, por është faj, – ka vijuar ai. – Të pësosh gol në atë mënyrë është faj. Sigurisht që këto janë pjesë e lojës. Në dy takimet e kampionatit kemi zhvilluar ndeshje të mira, jo se kemi qenë në maksimumin tonë, pasi e kemi thënë që kemi patur problem me manovrën, por kemi qëndruar në gjysmëfushën e kundërshtarit, kemi krijuar shumë raste. Ndeshja me Skënderbeun, përveç rezultatit, do e konsideroja të mirë. Të dielën na pret një takim i vështirë, ai me Vllazninë. I kemi ndjekur ndeshjet e tyre dhe i kemi analizuar. Do e kemi të vështirë.”
“Por ajo që na e vështirëson akoma më shumë është fakti se duhet ta fitojmë me çdo kusht, për të rikuperuar pikët, jo lojën e dy javëve të para”, – shtoi 54-vjeçari. Në sezonin e kaluar, Partizani nuk regjistroi asnjë fitore ndaj Vllaznisëm por Daja beson se “nesër (te dielën) është koha e duhur për t’u rikthyer te fitorja në kampionat. “Natyrisht që është një ndeshje e vështirë, që i ka të tri rezultatet brenda, por jemi të dënuar për të bërë gjithçka për të arritur fitoren, në mënyrë që të jemi më të qetë për vazhdimësinë, – ka theksuar ai. – Ka shumë pikë në lojë, por mendoj se një fitore me Vllazninë do i shërbente shumë skuadrës dhe në aspektin psikologjik”.
“Pavarsisht se koefiçenti është i vështirësisë më të lartë, sepse Vllaznia, përveçse luan mirë futboll, ka dhe një kundërsulm vrastar, – ka këmbëngulur Daja. – Të tre lojtarët e tyre të sulmit janë lojtarë të shpejtë dhe ndërtojnë shumë shpejtë kundërsulmin. Por mendoj se grupi i lojtarëve është gati për të përballuar këtë sfidë. Kemi çeduar në fazën finalizuese. Kemi patur situata para porte, kemi humbur edhe një penallti, por kemi marrë dy goditje në portë në të dyja ndeshjet që kemi zhvilluar, që do të thotë se jemi konsoliduar pak më mirë në fazën mbrojtëse dhe kemi pak problem në fazën sulmuese.”
“Natyrisht që faza e sulmit ka dhe pjesën e krijmtarisë brenda si pjesë e lojës individuale dhe të vetë lojtarëve, që do të thotë se duhet pak më shumë kohë për të konsoliduar dhe këtë fazë, për të qenë aty ku Partizani mendohet të jetë. Nesër luhet java e tretë, janë dhe 99 pikë të tjera në lojë pas ndeshjes me Vllazninë, që do të thotë se është ende shpejt për të parë se cili do të jetë pozicioni i Partizanit në tabelën e klasifikimit. E kemi të qartë se kjo skuadër ka gjithmonë objektiva madhorë, por më mirë të fokusohemi te sfida e nesërme, sepse është mjaft e vështirë, vjen në një moment ku dhe ne nuk kemi formën optimale”, – ka përfundoi Ilir Daja.