AlbanianSport.com 25/09/2021 18:40
ASNN – Të dielën, mysafire e Partizanit në Stadiumin “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 3-të të Kategorisë Superiore, do të jetë Vllaznia. Ajo që vlen të theksohet është se skuadra e trajnerit Tomas Brdariç ka shfaqur probleme në fazën mbrojtëse në këtë fillim sezoni, pasi në çdo ndeshje të luajtur, Superkupë, kampionat dhe Kupë ka pësuar gol. Në anën tjetër, trajneri gjerman e vlerëson shumë Partizanin, jo vetëm për lojtarët cilësorë që ka në përbërje, por edhe për faktin se udhëhiqen nga një trajner me eksperiencë të madhe si Ilir Daja.
Në konferencën e zakonshme për shtyp dhënë një ditë para përballjes Partizani-Vllaznia në “Elbasan Arena”, gjermani që drejton shkodranët theksoi se është shumë e rëndësishme që nga ky takim ekipi i tij të dalë me pikë duke lënë të kuptohet se edhe një barazim do të cilësohej rezultat pozitiv. Trajneri kuqeblu pranoi se e shqetëson mënyra se si po i pëson golat skuadra në këto javë të para, ndërsa foli edhe për Herald Markun dhe Dajan Shehin, të cilët do të jenë kundërshtarë të Vllaznisë. “Sigurisht që duhet të përmirësohemi në fazën mbrojtëse”, – tha ai.
“Thelbësore është që të vazhdojmë punën dhe të krijojmë stabilitet në mënyrë që të kemi balancë midis fazës sulmuese dhe veprimeve në mbrojtje, – vijoi trajneri i kuqebluve. – Partizani ka një skuadër të mirë, lojtarë të spikatur, si dhe një trajner me përvojë. Ata nuk kanë pse të dëshmojnë asgjë, ne duhet t’i përballojmë me forcën tonë. Heraldi dhe Dejani ishin pjesë e Vllaznisë së sezonit të fundit dhe e suksesit të ekipit. Tani ata luajnë në anën e kundërshtarit. Për mua ata janë djem të mrekullueshëm dhe me pasion për të luajtur futboll.”
“Por ne jemi të fokusuar te vetja dhe kemi një plan për ndeshjen, – ka theksuar Brdariç. – Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë të dielën. Ne duhet të japim maksimumin tonë dhe të marrim pikë ndaj Partizanit. Rruga sezonale është e gjatë ndaj ne na duhen lojtarë që duan të jenë pjesë e kësaj Vllaznie të re. Ne jemi akoma një ekip në ndërtim dhe nuk kemi kohë për ankesa. Të gjithë duhet të përshkruhen nga ndjenjat pozitive dhe të presin shansin e tyre për të luajtur dhe të kontribuojnë për skuadrën. Ky është objektivi ynë i përbashkët”, – përfundoi trajneri i Vllaznisë.