AlbanianSport.com 22/09/2021 23:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve e ka fituar me rezultatin 2-0 miqësoren me bashkëmoshatarët e Kosovës, të luajtur këtë të mërkurë në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Trajneri Ervin Bulku e nisi sfidën me këtë formacion: Kiri, Koleci, Fikaj, Haxhari, Kurti, Nuredini, Zaganjori, Kasmollari, Agea, Tresa, Xhixho. Kuqezinjtë e nisën shumë mirë sfidën dhe dominuan qysh në minutat e para. Si rrjedhojë goli i epërsisë do të vinte shumë shpejt e më konkretisht në minutën e 18-të.
Tresa fiton një top në sulm dhe pasi avancon, shënon një gol të bukur me një gjuajtje me të majtën nga distanca. Topi përfundon në trekëndësh, duke mos i lënë asnjë mundësi portieri të Kosovës për të shmangur golin. Nuk kalojnë shumë dhe në minutën e 25-të përfaqësuesja shqiptare gjen edhe golin e dytë me Agean që finalizon saktë i vetëm me portierin pas një aksioni të rrjedhshëm të kuqezinjtë. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-2, ndërsa në pjesën e dytë trajneri Bulku bën disa zëvendësime
Duke u dhënë kështu mundësinë plot 8 lojtarë të tjerë që të tregojnë vlerat e tyre në fushë. Edhe në pjesën e dytë Shqipëria e Nën-17-vjeçarëve luan mirë dhe arrin të administrojë siç duhet epërsinë deri në fund me ndeshjen që mbyllet me fitoren 2-0 në favor të kuqezinjve. Në përfundim të miqësores, trajneri Bulku u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, me fitoren e arritur dhe impenjimin e treguar nga djemtë kuqezi në këtë sfidë. Kjo ishte miqësorja e parë e programuar për këtë grumbullim, ndërsa më 24 shtator 2021, Nën-17-vjeçarët do të masë forcat me Kombëtaren kuqezi të Nën-18-vjeçarëve.
Takimi mes dy përfaqësuesve të moshave kuqezi do të luhet më datën 24 shtator 2021 në kompleksin “Internacional” në Pezë Helmes duke nisur nga ora 11:00. Në këtë test do t’u jepet mundësia edhe lojtarëve të cilët nuk u aktivizuan ndaj Kosovës për të treguar aftësitë e tyre në një ndeshje. Miqësoret janë një mundësi e mirë për trajnerin Bulku për të kolauduar grupin përfundimtar që do të ketë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian 2022, që luhen në muajt tetor-nëntor në Irlandën e Veriut. Kuqezinjtë janë në Grupin 12, së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.
Nën-17-vjeçarët
Kosovë – Shqipëri 0-2
Shënues: Tresa 18’, Agea 25’
Shqipëria: Kiri, Koleci (Ziu 88’), Fikaj (53’ Kurti), Haxhari, Ar. Kurti (kapiten), Nuredini (Lulaj 88’), Zaganjori (Ruci 60’), Kasmollari (60’ Rama), Agea (Syla 60’), Tresa (Bode 71’), Xhixho (Reci 88’).
Trajner: Ervin Bulku