AlbanianSport.com 22/09/2021 22:25
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) organizoi këtë të mërkurë hedhjen e shortit për edicionin e tretë të Kampionatit Kombëtar të futbollit “Sunday League Albania”, i njohur ndryshe si kampionati 9 X 9, në zonën e Tiranës dhe që do të ngrejë siparin nga 27 shtatori 2021. Në shortin e zhvilluar në mjediset e Stadiumit “Arena Kombëtare” u përcaktua kalendari i plotë me të gjitha ndeshjet e këtij sezoni. Në këtë edicion të 3-të të Kampionatit 9 X 9 në Tiranë do të marrin pjesë 35 skuadra, të ndara në dy grupe, ku njëri grup do të ketë në përbërjen e tij 17 skuadra ndërsa grupi tjetër do të përbëhet nga 18 skuadra.
Ndeshjet do të përcaktohen me një sfidë teke dhe jo me sistem vajtje-ardhje, ndërsa më pas do të zhvillohet edhe faza e “play-off”-it. Në shortin e hedhur nga Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, ishin të pranishëm përfaqësues të skuadrave, të cilët kanë mësuar kundërshtarët e tyre për të 17 javët që do të zhvillohet ky kampionat dhe dy prej tyre kanë folur për mediat, duke u shprehur të lumtur për zhvillimin e këtij aktiviteti, pasi sporti është një nga mënyrat më të mira për të mbajtur trupin në formë. “Është një edicion që na mban gjallë pasionin”, – thotë njëri nga përfaqësuesit e skuadrave.
“Është i rëndësishëm për të gjithë, edhe për pjesën e shëndetit, sidomos për ne që jemi edhe ish-futbollistë, që se kemi vazhduar futbollin, – vijon ai. – Për mendimin tim është një mënyrë e mirë për të mbajtur trupin në formë. Mesa kam parë edhe pjesëmarrja këtë vit është akoma më e madhe, konkurrenca patjetër më e madhe dhe shikoj që shumë ekipe e kanë marrë seriozisht pjesëmarrjen. Të gjithë duan të paraqiten mirë, të fitojnë dhe normalisht është një dy orësh që ne kalojmë pas punës.” Ndërsa një përfaqësues i një tjetër skuadra pjesëmarrëse u bën thirrje të gjithëve të merren me sport.
“Si pasionant sporti, pasioni nuk na ka munguar dhe nuk e kemi shmangur kurrë pasionin për sportin, – ka thënë ai. – Nëpërmjet sportit gjithmonë është synuar maksimizimi i sportit, por siç po e arrin “Sunday League Albania”, nuk besoj se e ka arritur ndonjë sport apo sektor tjetër këtu në Shqipëri. Jemi shumë të kënaqur me aktivizimin që bëjmë. Minimalisht një herë në javë marrim pjesë në këtë aktivitet dhe i plotësojmë pak a shumë kërkesat që ka edhe trupi, edhe vetë si njerëz, qoftë nga ana sociale apo fizike për atë që na jep sporti. Si mësues i edukimit fizik, i lutem të gjithëve të merren me sport dhe të shmangin gjërat e dëmshme.”
Më poshtë, kalendari i plotë i kampionatit 9×9 në zonën e Tiranës:
https://fshf.org/wp-content/uploads/2021/09/KALENDARI-GRUPI-A.pdf
https://fshf.org/wp-content/uploads/2021/09/KALENDARI-GRUPI-B.pdf