AlbanianSport.com 10.12.2014 14:20
ASNN – Mbrojtësi i shndërruar në sulmues i ka dhënë pikë gjirokastritëve në Sarandë ndaj Butrintit: “Ne nuk nisemi nga pozicionet në renditje, por do ta fitojmë sfidën ndaj Dinamos në Tiranë”. Erlis Frashëri, i dalluar në skuadrën gjirokastrite në fazën e parë të këtij kampionati në rolin e mbrojtësit të djathtë, në ndeshjen ndaj Butrintit të Sarandës u aktivizua në sulm dhe kjo në mungesë të vlonjatëve Nelaj dhe Shehaj, të cilët mungonin për arsye shëndetësore. Edhe pse i rreshtuar në mbrojtje në fazën e parë, ai ishte autori i tre golave, që i dhanë shtatë pikët e para Luftëtarit dhe i shtuan besimin skuadrës për të pretenduar ngjitjen në Kategorinë Superiore.
Nisur nga aftësitë sulmuese, trajneri Bledar Devolli e aktivizon në rolin e sulmuesit në takimin me Butrintin dhe ishte ai që fitoi 11-metërshin e kthyer në gol nga kapiteni Fejzo Shenaj duke i dhënë edhe një pikë skuadrës gjirokastrite. Në lidhje me takimin e së shtunës së ardhshme ndaj Dinamos në Tiranë, Erlis Frashëri, me nofkën “kinezi”, shprehet se: “Për skuadrën tonë çdo ndeshje është një finale me vete. Kjo me Dinamon merr vlera të dyfishta, pasi luajmë ndaj një ekipi me të njëjtin pretendim si edhe ne, ngjitjen në Superiore. Pas tre humbjeve të para që pësuam në këtë sezon kemi bërë kthesën e duhur dhe jo vetëm rezultatet, por edhe loja e zhvilluar e vërtetojnë këtë.”
“Ka një tjetër opinion për ekipin tonë dhe kundërshtarët do të mobilizohen, por ne do të bëjmë lojën tonë brenda mentalitetit fitues, – ka vijuar ai. – Për ndeshjen me Butrintin ekzistonte opinion se sarandjotët do ta kishin të lehtë fitoren ndaj nesh, por ndodhi e kundërta. Ishim ne që duhej të kishim fituar. Loja jonë nuk qe rastësi dhe besoj se ajo do të vijë me ngritje. Kjo do të duket edhe ndaj Dinamos. Dinamo është më mirë nga ne në klasifikim, por futbolli nuk është llogari. Po të jetë kështu, fitonim ne. Por Dinamo humbi 1-3 në Pogradec, atje ku ne barazuam. Barazoi në Tiranë me Butrintin, ndërsa ne në Sarandë duhej të kishim fituar.”
“Dhe përfundimet e javës që mbyllën fazën e parë të këtij sezoni tregojnë se lufta për vendin e parë në skuadrat e Grupit të Jugut është e fortë dhe e paparashikueshme. Dhe kjo është edhe për skuadrën që do të bjerë nga kategoria. Ne nuk bëjmë llogartitë e të tjerëve, por punojmë që të fitojmë ndaj çdo skuadre pa u ndikuar nga emri, apo vendi që mban në klasifikim. Këtë do të mundohemi të bëjmë edhe ndaj Dinamos”, – ka përfunduar futbollisti i Luftëtarit, Erlis Frashëri.