AlbanianSport.com 19/09/2021 18:40
ASNN – Vijon java e dytë të Kategorisë Superiore dhe zhgënjen Tirana, pasi u ndal në një ndeshje të lehtë në letër në shtëpi përballë debutuesve të Egnatias së Rrogozhinës ku fjalën kryesore e thanë polemikat në lidhje me vendimet dhe mos vendimet e diskutueshme që lidhen drejtpërdrjtë me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR). Gjyqtari Laver Alla u konsultua, vendosi metër të barabartë gjykimi në dy raste të dyshimta, ndërsa bardheblutë largohen me kokën pas nga sfida e javës së dytë kundër debutuesve të Egnatias, që fituan pikën e parë të sezonit.
Në fakt, skuadra e ish-trajnerit bardheblu, Gugash Magani barazoi 1-1 në Stadiumin “Selman Stermasi” pasi arriti t’u rezistonte vendasve, që shënuan golin e parë të sfidës me Seferin pas një pjese të parë shumë të vuajtur. Lojtari i lindur në Kumanovë surprizoi Pujën me një super realizim nga distanca. Gol i rëndësishëm por jo vendimtar për fatet e ndeshjes pasi Tirana e pësoi nga një tjetër gol spektakolar, këtë herë i gatuar në këmbët e një tjetër lojtari të lindur në Maqedoninë e Veriut.
Ishte Demir Imeri, i cili shtangu Bekajn me një të djathtë të cilën portieri nuk do të mundi ta ndalte. Por nëse deri në këtë moment fjalën e kishte futbolli, më tej ishin polemikat u ngjitën në skenë. Gjyqtari kryesori, Laver Alla, pati punë me VAR-in duke hedhur poshtë dy pretendime, nga një për secilën skuadër dhe gjithçka mbyllet në fund në shifrat 1-1. Tirana ngjitet përkohësisht në vendin e parë të renditjes, bashkë me Teutën dhe Vllazninë, në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Egnatia e Rrogozhinës kthehet në shtëpi me një pikë të artë.