AlbanianSport.com 19/09/2021 17:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve ka nisur këtë të diel grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore që ka në program për muajin shtator. Trajneri Ervin Bulku ka thirrur 22 lojtarë për miqësoret me Kosovën dhe Kombëtaren shqiptare të Nën-18-vjeçarëve, ndërsa grumbullimi do të zgjasë 6 ditë. Ekipi kuqezi është akomoduar në një nga hotelet e Durrësit, teksa seancat stërvitore do të zhvillohen po në qytetin bregdetar.
Gjashtë nga lojtarët e thirrur për këto ndeshje aktivizohen me klube të huaja, kurse të tjerët janë pjesë e klubeve të kampionatit shqiptar. Që të gjithë lojtarët e thirrur janë vënë në dispozicion të stafit teknik dhe kanë nisur përgatitjet. Testi i parë i Nën-17-vjeçarëve kuqezi do të jetë ai i 22 shtatorit 2021 ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës në Prishtinë. Ndërsa më datë 24 shtator 2021, Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve do të masë forcat me Kombëtaren kuqezi të Nën-18-vjeçarëve.
Takimi mes dy përfaqësuesve të moshave kuqezi do të luhet më datën 24 shtator 2021 në Kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës, duke nisur nga ora 11:00. Dy miqësoret do të jenë një mundësi e mirë për trajnerin Bulku që të krijojë grupin përfundimtar që do të ketë në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Europian 2022, që luhen në muajt tetor-nëntor në Irlandën e Veriut. Shorti i ka vënë kuqezinjtë në Grupin 12, së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.
Më poshtë edhe lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar nga Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve për dy miqësoret e shtatorit: