AlbanianSport.com 18/09/2021 18:40
ASNN – Pasi është luajtur të premten ndeshja e parë, ku Dinamo dhe Laçi kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë, të shtunën janë luajtur dy takime të tjera të javës së dytë të Kategorisë Superiore dhe Partizani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në përballjen e Korçës me Skënderbeun. Pas humbjes në javën e parë përballë Teutës, të kuqtë kanë hedhur një tjetër hap të gabuar, duhet të presin akoma për të provuar shijen e fitores.
Në Korçë, me një Partizan më sulmues dhe një Skënderbe të kujdesshëm, sidomos në lojën mbrojtëse, pjesa e parë u mbyll me shifrat e bardha 0-0. Pjesa e dytë, pas dhjetë minutash lojë, solli dhe momentin më të diskutueshëm të kësaj sfide. Një pengim i Carës në zonë në fillim është konsideruar si diçka e rregullt nga gjyqtari i sfidës, por me ndërhyrjen e VAR, situata është përmbysur dhe është akorduar 11-metërsh për të kuqtë.
Zhunior nuk ka gabuar nga pika e bardhë, 1-0 për Partizanin. Por epërsia e të kuqve është zhdukur sa hap e mbyll sytë, pasi Berisha, duke përfituar dhe nga një gabim i Damceskit me Hoxhën, ka arritur të shënojë golin e barazimit. 1-1, një rezultat që në atë moment i shkonte më për shtat Skënderbeut, duke e vendosur në pozita mbrojtëse. Partizani e kishte të pamundur të bënte më shumë, në fund u pajtua me barazimin 1-1.