AlbanianSport.com 16/09/2021 20:55
ASNN – Shqipëria dhe Kosova shënojnë nga një gol dhe ndajnë nga një pikë në takimin e parë të Eliminatoreve. Shqipëria e futbollit të femrave ka nisur të enjten në mbrëmje rrugëtimin e saj në fushatën eliminatore të Kampionatit Botëror të 2023-shit dhe sfida e parë e vajzave kuqezi ka qenë derbi gjithëshqiptar me Kosovës. Siç dihet, dy përfaqësueset shqiptare shorti i ka vendosur në grupin F të këtyre Eliminatoreve, së bashku me Norvegjinë, Belgjikën, Poloninë dhe Armeninë.
Dhe pasi Norvegjia ka shpartalluar më herët në fushën e saj Armeninë me shifrat e thella, 10-0, ka qenë radha e Shqipërisë dhe Kosovës për t’u përballur me njëra-tjetrën në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena”. Në fakt, pjesa e parë e ndeshjes së sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, ka parë një epërsi të lehtë të vajzave kuqezi, të cilat arrijnë 3 minuta para fundit të fitojnë një 11-metërsh, që shndërrohet në gol nga Megi Doçi.
Me këtë epërsi minimale të Shqipërisë do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të shohë Kosovën më kërkuese dhe ajo do të arrijë ta gjejë golin e barazimit 18 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Valentina Limani shfrytëzon shpërqendrimin e mbrojtjes kuqezi dhe përshëndet rrjetën. Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, sidomos të vajzave kuqezi, minutat e mbetura dhe ato shtesë nuk do të sjellin gol dhe Shqipëria dhe Kosova ndajnë nga një pikë në nisje të këtyre Eliminatoreve.
Të martën, Shqipëria përballet në Belgjikë me përfaqësuesen vendase, në takimin që nis në ora 20:45, kurse më herët, duke nisur nga ora 19:00, Kosova pret në Prishtinë Norvegjinë.