Gjergj Vyshka 10.12.2014 11:35
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar dhe një ditë më parë, Federata Shqiptare e Sportit për të gjithë ka mbajtur dje në mjediset e hotel “Doro Siti” konferencën e tretë kombëtare me temën “Me ne, jo obezë”. Një konferencë, e cila ka mbledhur të gjithë mësuesit e fizkulturës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës, sepse obeziteti (mbipesha) tek fëmijët është i dukshëm, që vjen nga një pamundësi e tyre për t’u marrë me sport.
Pikërisht në fjalët e tyre përshëndetëse, si presidenti i Federatës së sportit për të gjithë, Albert Karriqi, ashtu dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, kanë theksuar domosdoshmërinë e bërjes së orarit të fizkulturës si një mundësi e marrjes së të rinjve me më shumë sport, pavarësisht pretendimit për mungesat e terreneve sportive. Ndërkohë që presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, obezitetin e ka quajtur një gangrenë të rinisë dhe fëmijëve të sotëm.
“Dhe kjo gangrenë nuk është vetëm për fëmijët e rininë, por dhe për moshën e dytë dhe të tretë, – ka deklaruar kreu i lëvizjes olimpike shqiptare. – Duhet të kuptoni që sporti nuk është vetëm top, ndërsa ju po i ngrini vlerat duke e bërë atë dhe atëherë kur nuk ka terrene. Nëse fizkultura do të konsiderohet vetëm lojë me top atëherë është ofendim për të gjithë.”
“Nuk hera e parë që e kemi ngritur zërin për shëndoshjen dhe obezivitetin e rinisë, por ajo që duhet të bëjmë ne të gjithë së bashku është që të bëjmë sa më shumë aktivitete”, – ka thënë Bezhani, ndërsa më pas është kaluar në referimin e temave të caktuar në këtë konferencë dyditore. Tema e parë ka qenë: Problematika e Obezitetit: BMI & Indeksi perimetrit të belit, të mbajtura nga Prof.Dr Albert Karriqi, Jani Nano dhe Dr Fatbardha Kovaçi.
Në temën e dytë, problematikat sociale lidhur me obezitetin, referuese, apo udhëheqëse ka qenë Enerida Mema. Një temë tjetër është Edukimi fizik në shkolla për parandalimin e obezitetit, që ka si udhëheqës Prof Asc. Dr Dhimitraq Skënderi, Dr. Fatbardha Kovaçi, Msc Rozeta Shatku dhe Verdjana Veizi. Dhe në fund do të mbahet dhe një rezolutë, e cila do të firmoset nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë të tretë kombëtare të sportit për të gjithë, e cila ka qenë në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, si dhe me mbështetjen e Universitetit të Sporteve dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.