AlbanianSport.com 15/09/2021 19:55
ASNN – Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka të mërkurën u zhvillua mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Në fillim të mbledhjes që u zhvillua në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e re e FSHF-së, anëtarët e KE-së miratuan rendin e ditës dhe procesverbalin e mbledhjes së mëparshme, të zhvilluar më 24 maj 2021.
Në këtë mbledhje, anëtarët e KE-së diskutuan disa pika të rendit të ditës, si dhe janë miratuar disa prej tyre, ku një prej tyre është projekti i “100 Fushave”, një nga projektet më të mëdha të FSHF-së, që konsiston në ndërtimin e fushave të reja në të gjithë Shqipërinë dhe ku mund të aplikojnë pa kufizim kushdo, individ, pushtet qendror a vendor, klub futbolli etj.
Gjithashtu, me unanimitet të plotë u miratuan edhe disa pika të tjera të rendit të ditës, që kanë të bëjnë me mbështetjen infrastrukturore që FSHF-ja do të japë për dy klubet e futbollit, KF Egnatia dhe KF Erzeni, me investimin në sistemin e ndriçimit në Kompleksin “Tropikal” si dhe me mbështetjen e shoqatës së të verbërve dhe të gjymtuarve në kuadër të Programit të Përgjegjësisë Sociale dhe projekteve nxitëse “HatTrick V”.