Gjergj Vyshka 10.12.2014 10:40
Korabi luan sot ndeshjen e radhës në kampionat, atë ndaj Partizanit B, takim i cili do të zhvillohet në ora 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Duke kuptuar se janë marrë 8 fitore, tashmë kërkohet dhe fitorja e 9-të, ndërsa dibranët i kanë kërkuar të gjithë tifozëve të tyre që të jenë sa më të shumtë në “Selman Stërmasi”.
“Ju ftojmë të gjithëve, dibranë dhe tifozë të Korabit, që të jeni pjesëmarrës në mbështetje të ekipit për të arritur fitoren e nëntë radhazi në kampionat, – kanë thënë drejtuesit e Korabit në faqen e tyre në “Facebook”. – Ndoshta mund të themi që është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit.”
“Do të jetë një atmosferë e paparë ndonjëherë. Ju kërkojmë vetëm diçka, ata që e ndjejnë veten tifozë të Korabit ta shpërndajnë këtë status sa më shumë dhe njoftoni kë të mundeni që të jetë sot në stadium”, – kanë shtuar ata. Dibranët janë të vetëdijshëm se është ndeshja më e vështirë e fazës së parë, aq më tepër që sipas tyre Partizani B është ndër kundërshtarët më të fortë të grupit A.
Madje dibranët vlerësojnë se Partizani B është një kandidat serioz për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. “Por ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kërkojmë fitoren, ashtu sikurse kemi bërë dhe në tetë javët e para, teksa kemi grumbulluar 24 pikë”, – kanë thënë dibranët, të cilët janë bërë gati dhe për triumf ndaj Partizanit B.